2017-11-02 09:38:00

Kisha na fton ta shikojmë vdekjen në Ngjalljen e Krishtit.


Mbarë Kisha më 2 nëntor i përkujton me lutje drejtuar Zotit, besimtarët e vdekur. Prandaj, Kisha na fton ta shikojmë vdekjen në Ngjalljen e Krishtit. Besimtarët shkojnë në varreza, ku nderojnë të dashurit e tyre, duke iu lutur që Zoti t’u japë pushimin e pasosur dhe dritën e pambaruar. E në këtë ditë, kur kujtojmë të dashurit tanë, që nuk janë më mes nesh, na ngushëllon zëri i Kishës i cili, me fjalët e Shën Palit, na fton të mos kemi frikë nga vdekja e trupit sepse, si vdiqëm, si jetuam, jemi gjithnjë me Zotin.

Shën Pali Apostull, duke u shkruar bashkësive të para të krishtera, i nxiste besimtarët “të mos trishtohen, si të tjerët, që nuk kanë kurrfarë shprese. Po të besojmë se Jezusi vdiq e u ngjall – shkruante – ashtu edhe Zoti, përmes Jezusit, do t’i mbledhë të gjithë ata që vdiqën”(1 Sel 4, 13-14). “Edhe sot është e nevojshme të ungjillëzohet realiteti i vdekjes e i jetës së pasosur, që shpesh herë u nënshtrohet besëtytnive e sinkretizmave; sepse e vërteta e krishterë nuk duhet të vihet në rrezik, duke u ngatërruar me mitologji të natyrave të ndryshme”. (Benedikti XVI, lutja e Engjëllit të Tënzot e 2 nëntorit 2008).

Por njeriu modern shumë shpesh mundohet të harrojë se do të vdesë një ditë, duke jetuar sikur Zoti të mos ekzistonte. Njeriu modern e pret përsëri këtë jetë të pasosur, apo mendon se ajo i përket mitologjisë, së cilës nuk i beson më askush? “Në kohën tonë, më shumë se në të kaluarën, njerëzit merren aq shumë me gjërat tokësore, sa nganjëherë harrojnë se Zoti është protagonist i historisë e edhe i jetës sonë. Por jeta njerëzore, për vetë natyrën e saj, priret nga një cak shumë më i lartë, i cili qëndron mbi këtë natyrë: e pamposhtur është etja e njeriut për drejtësi, për liri, për lumturi të plotë “ (Benedikti XVI, audienca e përgjithshme e 2 nëntorit 2005).

E pra Zoti vijon të ekzistojë, edhe kur nuk i besojmë: e me të, edhe jeta e përtejme. Prandaj Kisha na fton t’i përkujtojmë besimtarët e vdekur me meshë, lutje, lëmoshë e ndjesë, në mënyrë që plotësisht të pastruar, të pranohen në jetën e amshuar. Por ç’ është kjo jetë e amshuar?

“Jeta e amshuar, për ne të krishterët, nuk është thjesht një jetë pa fund, por sidomos, një cilësi e re e jetës, shkrirë plotësisht në dashurinë e Zotit, që na çliron nga e keqja e nga vdekja e na bashkon pa fund me të gjithë vëllezërit e motrat, të cilët marrin pjesë në të njëjtën Dashuri” (Benedikti XVI, lutja e Engjëllit të Tënzot e 1 nëntorit 2006).

Para enigmës së vdekjes, shumëkush dëshiron e shpreson t’i gjejë përsëri të dashurit e vet në jetën e përtejme. E duke folur për kujtimin e të vdekurve, Kisha e quan vdekjen paralajmërim për jetën e pasosur, duke na ftuar të mos harrojmë se Zoti-dashuri e flijoi jetën pikërisht për ne. Prandaj nuk na braktis kurrë, sepse na do pafund.

“U ngjalla e tani jam gjithnjë me ty – na thotë Zoti – e dora ime të mban. Kudo që të rrëzohesh, do të biesh në duart e mia e do të jem i pranishëm edhe në portën e vdekjes. Atje ku nuk mund të të shoqërojë më askush e ku ti nuk mund të marrësh me vete asgjë, atje do të të pres, që ta shndërroj, për ty, errësirën në dritë” ( Benedikti XVI, lutja e Engjëllit të Tënzot e 2 nëntorit 2008).

Përkujtimi i të vdekurve lidhet me një nismë të Shën Odilonit, abat i Klyni, në shekullin X. Asokohe nga kjo abaci vareshin një mijë manastire benediktine, e kjo ndihmoi që nisma të përhapej shumë shpejt në të katër anët e Evropës veriore. Më pas, në vitin 1311, Roma e shpalli përkujtimin e të vdekurve, festë zyrtare. Por, pavarësisht nga kjo, Kisha, që në kohët e para të krishterimit, i ka kujtuar gjithnjë të vdekurit me përshpirtëri të thellë, me meshë e me vepra bamirësie.








All the contents on this site are copyrighted ©.