2017-11-01 15:54:00

Wojtyla e Galileo, 25 vjet pas. P.Maffeo: hap i madh për fenë e për shkencën


Më 31 tetor, 25 vjet më parë, Gjon Pali II, në një fjalim të paharrueshëm para Plenares së Akademisë së Shkencave - pranonte se dënimi i Galileo Galileit qe i gabuar. E kjo nuk ishte e para herë që e prekte këtë argument kaq delikat. Që më 1979, vetëm një vit pas zgjedhjes, Karol Wojtyla  pranoi se autorit të Dialogut mbi dy sistemet e botës, iu desh të vuante shumë - e kjo nuk mund të fshihet - nga ana e njerëzve dhe e organizmave të Kishës. Deklarata historike e vitit 1992 pasonte punimet e një komisioni kryesuar nga kardinali Paul Poupard, sipas dëshirës së Papës Wojtyla,  për t’u thelluar në procesin kundër shkencëtarit të madh italian, organizuar më se 350 vjet më parë. Mbi rëndësinë e këtij vendimi të Gjon Palit II dhe mbi frytet, që pasuan në dialogun ndërmjet Kishës e shkencës, intervistuam jezuitin Sabino Maffeo, anëtar nderi i Observatorit të Vatikanit, sot 95 vjeç, më 1991 zëvendës-drejtor i këtij Observatori astronomik:

Përgjigje: - Më vjen në gojë fjala: “Më në fund!”. Më në fund Kisha  e sqaroi ngjarjen me vendim të Gjon Palit II, kur deklaroi solemnisht  gabimin e madh të dënimit të Galileos, i cili thoshte të vërtetën, ndërsa i kërkohej të hiqte dorë nga doktrina, që ishte e drejtë!

Pyetje: - Ekziston gjithnjë mendimi, që i kundërvë Kishën me shkencën. Ky hap i Gjon Palit II qe shumë i rëndësishëm për t’i parë gjërat në një perspektivë të drejtë. E vërtetë, apo jo?

Përgjigje: - Them se po, është meritë e këtij Pape, që e quajti qartë gabim dënimin e Galileos!

Pyetje: - Benedikti XVI dhe Papa Françesku vijuan udhën e Gjon Palit II, me një dialog gjithnjë më të thelluar me botën e shkencës….

Përgjigje: - Në fakt, mjedisi ku ndodhem, Observatori i Vatikanit, është diçka që dëshmon sesa e vlerësojnë Papët shkencën! Mund edhe të mendohet: “Epo, këta priftërinj, që merren me yjet, planetet e me gjëra të tjera të tilla, a nuk do të bënin më mirë të angazhoheshin në apostullim?”. Nuk është mendim i keq, por duhet menduar edhe se ka shumë rëndësi  dëshmia që japin, e po aq rëndësi, edhe mënyra sesi  Kisha  i pranon gabimet në fushën e astronomisë!








All the contents on this site are copyrighted ©.