2017-10-29 18:45:00

Kardinali Parolin në Norcia: Papa ju inkurajon ta rinisni udhën


“Papa ju inkurajon ta rinisni udhën, të mos dorëzoheni para vështirësive, por ta shikoni plot me shpresë të ardhmen”. Kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, e çoi përqafimin e Papës Françesku në qendër të Norcias, duke shqiptuar homelinë e Meshës, kremtuar sot paradite para fasadës së mbështjellë me skela të Bazilikës së Shën Benediktit. Përkujtohej kryevjetori i tërmetit që, ndërmjet 26 e 30 tetorit të vitit 2016, e pështjelloi ritmin normal të jetës së trojeve të Umbrias, Marche-ve e Lazio-s. Ati i Shenjtë - vijoi. Hirësia e Tij - ju nxit t’u drejtoheni, me besimin e bijve,  Zotit Jezus e Nënës së Tij, Marisë, që të fitoni energjinë e nevojshme për ta  çuar me vendosmëri e guxim përpara, veprën e rindërtimit.

E pikërisht fasada e dëmtuar rëndë e Bazilikës - kujtoi kardinali Parolin -  është emblemë e tërmetit, por akoma më shumë, provë e aftësisë së njeriut për t’u ngritur përsëri në këmbë, për të vijuar të shpresojë, për të shikuar drejt qiellit e, me forcën e këtij vështrimi, për t’u rikthyer përsëri mbì tokë e për të vënë në veprim gjithë inteligjencën, mjeshtrinë, fantazinë e angazhimin, për t’i ngritur përsëri muret e shtëpive, të vendeve të punës, të kishave, moralin e njerëzve e të bashkësive e për t’i dhënë hov të ri edhe gëzimit të të jetuarit.

Më pas Hirësia e tij komentoi Leximet e kësaj së dieleje të kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, për të shpjeguar se një fill i kuq e lidh gjithnjë dashurinë për Zotin, me atë për të afërmin, kundrimin me veprimin, adhurimin e Zotit tonë, me gatishmërinë e plotë për t’i shërbyer njeriut, për të qenë, secili për të afërmin e vet, dëshmi e dukshme e dashurisë së krishterë.

Më pas, kardinali Parolin kujtoi se pikërisht atje ku shpërthyen elementet e natyrës, po aty shpërtheu edhe bujaria e njerëzve, altruizmi, gara për të dhuruar kohën, energjitë e paratë e për t’i ndihmuar njerëzit më të dëmtuar e më nevojtarë.

E, duke përmendur të gjithë ata, që dhanë ndihmesën e tyre në zhdukjen e pasojave të tërmetit si dhe në rindërtimin e Bazilikës së Shën Benediktit, sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi edhe angazhimin e institucioneve më të larta evropiane për financimin e veprës së rindërtimit të Bazilkës, duke ia njohur rolin e pazëvëndësueshëm, që pati e ka për Evropën, për krishtërimin e për kulturën, të cilën diti ta frymëzojë.

Në përfundim, u drejtoi thirrjen të gjitha institucioneve civile, kishtare e private të bashkëpunojnë në përkim me popullsitë e interesuara, në mënyrë që zelli i treguar në kohët e para pas tërmetit, të vijojë, madje, të shpeshohet e veprat e projektuara dhe ata të filluara të mos mbeten në gjysëm të rrugës.

Mesha, kremtuar në orën 11.00, në Sheshin Shën Benedikti të Norcias, u hap me përshëndetjen e kryeipeshkvit të Spoleto-Norcias, imzot Renato Boccardo, i cili e priti, në emër të gjithë bashkësisë lokale kardinalin Parolin, të cilin e ftoi t’i çojë Papës Françesku një falënderim të thellë e shumë të ndjerë, për kujdesin e treguar në këto muaj ndaj popullsisë së këtyre trojeve të prekura nga termeti, por edhe më shumë, nga kujdesi e dashamirësia e Atit të Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.