2017-10-28 17:23:00

Papa: aspirata më e denjë e njeriut është ta zhdukë luftën


“Mizoritë dhe shkatërrimet të cilat, pas konflikteve, rëndojnë mbi popullsitë  civile, mbi infrastruktuarat dhe mbi vendet e kultit, janë akoma  të tepërta, pavarësisht nga zbatimi i Protokolleve ndërkombëtare të Mbrojtjes: duhet të shndërrohen zemrat e të zgjohet ndërgjegjja morale!”. Kjo, thënë përmbledhtas, ishte thirrja e Papës gjatë fjalimit drejtuar pjesëmarrësve në Konferencën e tretë të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, mbajtur në Romë e kushtuar pikërisht rolit të OJQ-ve dhe të shoqërisë civile në mbrojtje të popullsive gjatë konflikteve.

Përfaqësuesve të qeverive, funksionarëve dhe specialistëve të pranishëm, mbledhur nga mbarë bota në Sallën Klementine, në Vatikan, Françesku u kujtoi qëndrimin e Selisë së Shenjtë si nënshkruese e dy Protokolleve të Konventave të Gjenevës, të rëndësishme për humanizmin e pasojave të konflikteve të armatosura. Pa harruar të sqarojë edhe lëshinet e ngurrimet, që vërehen gjatë këtyre nënshkrimeve. Aspirata më e denjë për njeriun - theksoi Papa - është zhdukja e luftës! E shumë përpjekje janë bërë për këtë, megjithatë, duhen bërë akoma, posaçërisht në të drejtën ndërkombëtare,  në përkim me karakteristikat e konflikteve e të vuajtjeve, që i shoqërojnë.

“Tepër shpesh - vijoi me trishtim Françesku gjatë fjalimit - nga teatrot e ndryshme të luftës arrijnë dëshmi, që flasin për krime mizore, për poshtërime të mirëfillta kundër njerëzve dhe dinjitetit të tyre, kryer duke shpërfillur çdo konsideratë për njeriun”. Shikojmë njerëz pa jetë, të mbytur mizorisht, me trupa të cunguar, me gjymtyrë e koka të prera, që kalben mbi dhe. Shohim motrat e vëllezërit tanë të torturuar, të kryqëzuar, të djegur për së gjalli e të fyer deri për së vdekuri. E këto pamje nuk mund të mos e trandin ndërgjegjen e njerëzimit!”.

“Shikojmë sa e sa qytete të rrënuara - vijoi të ankohet Papa - që humbasin thesaret e tyre kulturore mijëravjeçare e infrastrukturat e tyre, gjë që i privon breznitë e ardhshme nga e drejta për të jetuar, për të mbrojtur shëndetin, për t’u shkolluar”.

“Sa e sa Kisha  e vende  të tjera kulti sulmohen e rrënohen - vijoi të kujtojë Françesku - e gjithnjë më shpesh, gjatë kremtimeve liturgjike, me viktima të panumërta ndërmjet besimtarëve e meshtarëve, mbledhur për t’u lutur, duke shkelur, kështu, të drejtën themelore të lirisë së fesë”.

Përballë përhapjes së këtyre informacioneve, ndjehet fort nevoja e kthimit të zemrave, hapjes së tyre për Zotin e të afërmin, gjë që duhet t’i nxisë njerëzit ta mposhtin indiferencën e ta jetojnë solidaritetin, parë si virtyt moral e sjellje shoqërore, nga e cila mund të burojë angazhimi në ndihmë të njerëzimit, që vuan.

Por nuk duhet harruar se në kohë lufte ka edhe një mori shfaqjesh  solidariteti e dashurie njerëzore; të shumtë janë njerëzit - kujtoi Papa - që i bëjnë ballë lodhjes e rreziqeve, për të mjekuar e për të ndihmuar të plagosurit, për të varrosur të vdekurit e për të  ushqyer të uriturit: të gjitha vepra mëshire, për të cilat do të gjykohemi në fund të jetës sonë. Prej këndej, ftesa e Papës “për respektimin e parimeve themelore të humanizmit, për paanshmëri, asnjanësi e pavarësi”.

“Uroj - shtoi Françesku - që këto parime, të cilat përbëjnë zemrën e së drejtës humanitare, të pranohen në zemrat e luftëtarëve e të veprimtarëve humanitarë e edhe të zbatohen në praktikë.  E atje ku e drejta humanitare ndeshet me ngurrime e mosveprime, ndërgjegjja individuale ta pranojë  detyrën morale për respektimin dhe mbrojtjen e dinjitetit të njeriut në çdo rrethanë, posaçërisht përballë kërcënimeve, të cilat i rrezikojnë jetën.

Që kjo të bëhet e mundur - kujtoi Papa - ka shumë rëndësi lutja e, posaçërisht, shoqërimi shpirtëror i luftëtarëve dhe i veprimtarëve humanitarë. Kujtdo që shpëton një jetë, me çmimin e jetës së vet - përfundoi Papa - i drejtohen fjalët e Jezusit në Ungjillin e Mateut: “Gjithçka bëtë qoftë edhe për një të vetëm nga vëllezërit e mi më të vegjël, ma bëtë mua”(Mt 25,40).








All the contents on this site are copyrighted ©.