2017-10-27 01:00:00

Veni Domine: CD-ja e Krishtlindjes së Sikstinës, me këngë të panjohura rinashimentale


Misteri i Sh’këndellës, rilexuar në dritën e dorëshkrimeve rinashimentale,  të pranishme në fondin “Kapela Sikstine”, ruajtur në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Është kjo, përmbajtja e CD-së së re muzikore me titull: “Veni Domine - Advent and Christmas at the Sistine Chapel” (Eja, Zot - Koha e Ardhjes dhe Krishtlindja në Kapelën Sikstine), përgatitur nga Deutsche Grammophon e paraqitur dje në Sallën e Shtypit të Vatikanit.

 Me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të Cecilia Bartolit, disku ka tre regjistrime botërore - nxjerrë nga repertorët e Guillaume Dufay, Gregorio Allegri e Luca Marenzio - si dhe Beata viscera Mariae Virginis (Bekuar fryti i barkut të Marisë" nga Perotinus.

“Në të vërtetë, shpjegon drejtori i Kapelës Muzikore Papnore Sikstine, imzot Massimo Palombella, e tërë muzika e këtij disku është e veçantë, së pari, sepse shkuam drejtpërdrejt tek burimi e, së dyti, sepse për çdo  pjesë u studiuan me kujdes të madh partiturat dhe u bënë përpjekje që të tingëllojnë sa më gjallërisht, për të takuar njeriun e sotëm e për ta ungjillëzuar”.

Në këtë disk, që mund të jetë edhe dhuratë vërtet e bukur për Krishtlindje, - shpjegon akoma imzot Palombella - “dashuronjësit e muzikës gjejnë kuptimin e thellë e të frymëzuar të teologjisë së Misterit të Mishërimit, në të cilin Rinashimenteoja përfshinte Misterin e gjithë jetës së Zotit. Kjo pasuri, që propozohet, vjen nga burimet e muzikës së kultivuar perëndimore e, vlera e saj më e madhe qëndron në faktin se del nga dorëshkrimet e pranishme në Bibliotekësn Apostolike të Vatikanit, për të hyrë në jetën e sotme muzikore, duke ringjallur një vepër që, përndryshe, do të mbetej ‘letër e vdekur’”.

Imzot Palombella e shikon përmbajtjen e këtij disku lidhur ngushtë me mandatin e Koncilit II të Vatikanit, domethënë, me rishikimin e trashëgimisë muzikore kishtare, për ta vënë në shërbim të njeriut të sotëm. Kërkimi i Zotit, që buron nga kjo muzikë - pohon ipeshkvi muzikant - mund ta ndihmojë shumë njeriun e sotëm, në shtegtim, drejt  lartësive.








All the contents on this site are copyrighted ©.