2017-10-27 12:24:00

Universiteti i Varshavës i jep atë Lombardit laurën honoris causa


Drejtori i Sallës vatikanase të shtypit në kohën e Benediktit XVI dhe Papës Françesku, atë Federico Lombardi, të martën e kaluar mori, në Varshavë, titullin doktor ad honorem causa në lëndën e teologjisë së mjeteve të komunikimit shoqëror. Titulli iu akordua nga Universiteti Kardinal Stefan Wyszynski.

Ishte njohje e angazhimit të tij të besueshëm në komunikimin shoqëror, në shërbim të tre papëve e të mbarë Kishës.

“Atë Lombardi bashkon aftësinë, me karakteristikat më të mira profesionale dhe etike, që kërkohen në të gjitha kurset e specializimit profesional pranë institutit tonë të edukimit mediatik e të gazetarisë” – theksoi profesor Jerzy Oledski në laudatio, shqiptuar me rastin e dorëzimit  të doktoratit Atë Lombardit.

Motoja e doktoratit, me të cilin u vlerësua atë Lombardi, është. “Komunikon për të bashkuar, jo për të përçarë, për të informuar në shërbim të aleancës në familje, në shoqëri, në Kishë e ndërmjet popujve”.

Atë Lombardi, në fjalimin e tij të falënderimit, kujtoi punën e vet në ndihmë të tre papëve dhe disa ngjarje, që i mbetën të vulosura në kujtesë, gjatë shërbimit të tij komunikues në të katër anët e botës. Në përfundim  uroi që mediat të përpiqen ta ndihmojnë misionin e Papës në favor të njerëzimit e të mbarë botës. E uroi edhe që të jehojnë rishtas fjalët e Gjon Palit II: “Lum televizioni! Lum rrjeti! Lum mediat e social mediat!”. Lum, për çka mund të bëjnë në shërbim të njerëzimit!








All the contents on this site are copyrighted ©.