2017-10-27 14:25:00

Papa: emigrantët të mirëpriten e të respektojnë ligjet


Papa: "Emigrantët të mirëpriten e të respektojnë ligjet.  Unë u kërkoj gjithë popujve t’i ndihmojnë emigrantët, sepse janë premtim  i jetës për të ardhmen. Ndërsa emigrantëve u kërkoj: ruajeni popullin, që ju mirëpret, respektojini ligjet e tij, ecni si vëllezër në këtë udhë dashurie!”.  Janë fjalët e Papës, gjatë dialogut në videolidhje, nga Houston, me të rinjtë që ndiqen nga Fondacioni papnor “Scholas Occurrentes”. Këto fjalë u shqiptuan gjatë vizitës së djeshme të Françeskut në selinë romake të këtyre shkollave.

Papa kujtoi se gjithë popujt latinoamerikanë janë metisë, prej këndej iu drejtua evropianëve, duke shtuar: “Mos harroni se edhe ju jeni metisë përmes emigracioneve të kohëve të barbarëve, të vikingëve. Ky nuk është çasti për të luajtur në laboratorin aseptik. Është çasti për t’i mbledhur ata, që arrijnë; e ata që arrijnë, për t’i respektuar ligjet e popullit mikpritës”.

“Erdha mes jush” - u tha Papa të rinjve, të lidhur me të nga Texas, duke u folur nga selia romake e Fondacionit papnor “Scholas Occurrentes” -, sepse ipeshkvijtë amerikanë më përshkruan vuajtjet tuaja. Unë jam bir emigrantësh e po të mos kishin qenë disa njerëz, që i strehuan prindërit e mi, nuk do të isha me ju sot. Një nga gjërat më të bukura, është të mikpresësh një kulturë, që arrin nga vise të tjera, të pasurohesh, duke dialoguar, ta pranosh tjetrin. Këtë nuk e them unë, e thotë Dikush, që është shumë më i rëndësishëm se unë, e thotë vetë Zoti. Bibla flet qartë: mirëprite emigrantin, mirëprite refugjatin, sepse edhe ju ishi refugjatë në Egjipt. Edhe Jezusi  ishte refugjat!

Posaçërisht disa të rinj, që njihen si “dreamers” (emigrantë të parregullt, ardhur në SHBA që fëmijë, me prindërit e tyre, të cilët tani, me vendimet e administratës Trump ka rrezik të dëbohen) i ftoi:

“Gjëja a parë, që ju them, është se lutem për ju”. “E dyta, vijoni  të ëndërroni”. “Afrojuni me njerëzit që ju duan e dëshirojnë t’ju mbrojnë në këtë çast të vështirë. Duajini të gjithë! Mos urreni asnjeri!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.