2017-10-27 16:26:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 30-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele është ‘ ta duam njeriun për ta dashur Zotin’. Të besosh e të duash, të besosh në Zotin është si të duash. Risia e madhe e krishterimit është në faktin që na ka dëftuar se “Zoti është dashur”. 

Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele, nga Mateu (22,34-40), na fton ta vlerëzojmë kohën si dhuratë e Zotit, i cili na e ka ofruar për të dashur vëllezërit e motrat tona në jetën e përdithsme. Veprat tona në histori duhet të jenë plot me praninë e Zotit, burim i çdo të mire, ashtu siç thotë Jezu Krishtin në Ungjill, i cili i fton farisenjtë të respektojnë jo vetëm urdhërimin e parë, pra, ta duam Zotin, por edhe urdhërimin tjetër, ngushtë të lidhur me të parin e që ka të bëjë me dashurinë për të afërmin. Përmasa veritikale dhe ajo horizontale e marrëdhënieve tona me Zotin lidhen dhe ushqejnë njëra-tjetrëm. Të dyja urdhërimet duhen ndjekur e zbatuar me përpikëmeri, për të qenë dëshmitar të vërtetë të Jezu Krishtit.

Të duash Zotin ishte e mbetët urdhri parë (lëvizja ngritëse), si themel, ndërsa dashuria ndaj të afërmit është verifikim i dashurisë që kemi për Zotin: nuk mund ta duam Zotit, që nuk e shohim e të mos e duam të afërmin tonë që e shohim dhe takojmë. “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!" (Ungjilli)

Përmes debatit me farisenjtë, në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi na tregon kriterin e vërtetë të shqyrtimit e të vlerësimit të përvojës së fesë. Kundër  ndarjes së ligjit e kundër çdo formalizmi, Jezusi propozon Urdhrin më të madh, atë të Dashurisë ndaj Zotit, dashuri që pasqyrohet, vërtetohet e peshohet nga dashuria që kemi ndaj të afërmit tonë.

                   Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Dal 22, 21-27)
Nëse e dëmtoni vejushën e bonjakun, hidhërimi im do t ë ndizet flakë kundër jush.

Lexim prej Librit të Daljes
Kështu thotë Zoti: “Mos e keqtrajtoni vejushën as bonjakun. Nëse do t’i nëpërkëmbni, ata do të kërkojnë ndihmë prej meje e unë do ta dëgjoj ankimin e tyre. Atëherë hidhërimi im do të ndizet flakë e do t’ju prej me shpatë. Gratë do t’ju mbesin të veja e fëmijët bonjakë.
Nëse do t’i huazosh para ndokujt prej skamnorëve të popullit tim që është me ty, mos u sill me të si të ishe kamatari: mos i merrni kamatë.
Nëse për peng ia ke marrë të afërmit tënd gunën, ktheja para perëndimit të diellit. Sepse ajo është i vetmi petk me të cilin e mbështill trupin dhe s’ka tjetër në të cilin të bjerë të flejë. Nëse ankohet para meje, do ta dëgjoj, sepse kam dhembshuri. Fjala e Zotit!

Psalmi 18 (17)
Ref: Të dua, o Zot, fuqia ime.

_____________________________
O Zot, Qeta ime, fuqia ime, Shpëtimtari im!
Ti je Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!
_____________________________
Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm,
dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
_____________________________
Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim!
Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
_____________________________

 

Leximi i dytë (1 Sel 1, 5-10)
Ju u kthyet kah Hyji prej idhujsh, që t’i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi dhe me Shpirt Shenjt dhe me mbushëmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë ndër ju për ju. Edhe ju u bëtë ndjekësit tanë dhe të Zotit duke e pranuar Fjalën me gëzim që jep Shpirti Shenjt edhe pse në vështirësi të madhe, kështu që u bëtë shembull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akajës.
Sepse, prej jush, jo vetëm jehoi Fjala e Zotit nëpër Maqedoni e Akajë, por edhe feja juaj në Hyjin aq fort u përhap gjithkah, sa që ne s’kemi nevojë të flasim për këtë gjë. Sepse njerëzit vetë tregojnë për ne: ç’ pritje na bëtë, si u kthyet kah Hyj prej idhujsh, që t’i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë dhe që ta prisni nga qielli Birin e tij, të cilin e ngjalli nga të vdekurit, Jezusin, që na shpëton nga hidhërimi i ardhshëm. Fjala e Zotit!

Ungjilli (Mt 22, 34-40)
Duaje Zotin, Hyjin tënd dhe të afërmin tënd porsi vetveten!

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, farisenjtë, kur morën vesh se ua mbylli gojën saducenjve, u bashkuan dhe njëri sish, mësues ligji, për ta vënë në provë, e pyeti: “Mësues, cili është më i madhi urdhërim i Ligjit?”
Jezusi u përgjigj: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! Në këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.” Fjala e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.