2017-10-26 14:49:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: 10 fjalët e Papës Françesku


Të dashur dëgjues, që sot, fillojmë një cikël emisionesh, që u kushtohen këshillave të Papës Françesku për të rinjtë. Titullohet pikërisht “10 fjalët e Papës Françesku” e pa shumë komente, do të citojmë në çdo emision, vetëm ç’ka thënë Ati i Shenjtë për argumentin, që do të trajtojmë atë të enjte në rubrikën tonë. Sot, “Lëre Krishtin të hyjë në jetën tënde”.

         Në homelinë e meshës së kremtuar gjatë Ditës XXVIII Botërore të Rinisë, më 25 korrik 2013, Papa Françesku iu drejtua të rinjve me këto fjalë:

         Po të them pikërisht ty: “Lëre Krishtin të hyjë” ne jetën tënde! Ai po të pret: dëgjoje me vëmendje e prania e Tij do ta entuziazmojë zemrën.
         “Lëre Krishtin të hyjë”: Ai të pret në sakramentin e faljes, me mëshirën e Tij i shëron të gjitha plagët e mëkatit. Mos ki frikë t’i kërkosh falje Zotit, sepse Ai, në dashurinë e Tij të madhe, nuk lodhet kurrë duke na falur, si një atë, që na do. Zoti është mëshirë e qelibartë!
         “Lëre Krishtin të hyjë”: Ai të pret edhe në Eukaristi, sakrament i pranisë së Tij, i flijimit të Tij për dashuri e, të pret edhe në humanitetin e shumë të rinjve, që do të të pasurojnë me miqësinë e tyre, do të të inkurajojnë me dëshminë e tyre të fesë, do të të mësojnë gjuhën e dashurisë, të mirësisë, të shërbimit.
         Edhe ti mund të jesh dëshmitar i gëzueshëm i dashurisë së Krishtit, dëshmitar i guximshëm i Ungjillit të Tij, për të sjellë pakëz dritë në këtë botën tonë. Lëre Jezusin të të kërkojë, lëre të të dojë: është mik, që nuk zhgënjen.







All the contents on this site are copyrighted ©.