2017-10-26 12:30:00

Papa, protestantëve të Skocisë: të jetojmë si vëllezër, jo si rivalë


Lutja “Ati ynë”, që Krishti ua mësoi dishepujve të vet, thënë së bashku nga protestantë e katolikë, mbylli audiencën e Papës Françesku me moderatorin e Kishës së Skocisë, Derek Browning, të cilin e priti sot në Vatikan, së bashku me bashkëpunëtorët e vet.

Ati i Shenjtë kujtoi pjesëmarrjen e tij në kremtimet e 500-vjetorit të Reformës protestante, në tetor të vitit të kaluar, në Lund të Suedisë dhe vuri në dukje se të krishterët e besimeve të ndryshme tashmë e konsiderojnë njëri-tjetrin “vëllezër të vërtetë e jo më rivalë”.

Udha ekumenike, vërejti Papa, “ka bërë të mundur intensifikimin e mirëkuptimit, të besimit dhe të bashkëpunimit konkret” ndërmjet katolikëve dhe Kishës së Skocisë e Kishave të tjera të krishtera. Një nga frytet më të rëndësishme të kësaj udhe është purifikimi i kujtesës nga të dyja palët.

“Nëse është e vërtetë që e kaluara nuk ndryshohet – theksoi Papa Bergoglio – është e vërtetë edhe se sot, e kuptojmë më në fund njëri-tjetrin, duke u nisur nga vështrimi i Zotit mbi ne: jemi, para së gjithash, bij të Tij, të rilindur në Krishtin me të njëjtin Pagëzim, prandaj, jemi vëllezër. Për shumë kohë e kemi vëzhguar njëri-tjetrin në distancë, me një vështrim ‘pak si tepër njerëzor’, duke ushqyer dyshimet, me perspektivën e fiksuar në ndryshimet e në gabimet e tjetrit dhe me zemrën të gatshme për të paditur angaritë e pësuara”.

Por, tashmë, udha ka ndryshuar e Papa Françesku nxiti të vijohet ajo me dashurinë e përvuajtur “që sjell kapërcimin e ndarjeve dhe shërimin e plagëve”, duke i orientuar të krishterët drejt “dialogut të bashkimit”. Duke uruar unitetin e gjithë të krishterëve, të cilët, tha Ati i Shenjtë, janë “ne”, janë “familje”, Papa kujtoi veçanërisht “të krishterët, që sot, kalojnë sprova të rënda, sepse vuajnë e persekutohen për emrin e Krishtit. E dëshmojnë fenë, martirizohen, janë të shumtë ata, që mbartin një kryq të rëndë. Dëshmia e tyre – vijoi – na detyron të ecim përpara, me dashuri dhe guxim, deri në fund. Dialogu ynë drejt bashkimit të plotë, dëshmia dhe shërbimi ynë i përbashkët, impenjimi ynë në lutjen për njëri-tjetrin dhe në kapërcimin e plagëve të së kaluarës, janë përgjigje, që duhet t’u japim edhe atyre, brenda kësaj ‘familjeje’ të madhe të fesë”.

“Lutem e shpresoj – përfundoi Papa Françesku, para se t’u kërkonte të pranishmëve të thonin ‘Atynën’ së bashku – që udha drejt bashkimit të dukshëm të vazhdojë çdo ditë e të sjellë fryte të pasura në të ardhmen, siç ka ndodhur në të kaluarën e afërt”.








All the contents on this site are copyrighted ©.