2017-10-26 11:10:00

Në Londër, takimi i ipeshkvijve katolikë lindorë të Evropës


Që sot e deri më 29 tetor, janë mbledhur në Londër ipeshkvijtë katolikë lindorë të Evropës, në takimin e tyre vjetor. Kësaj radhe, ata festojnë edhe 60-vjetorin e themelimit të Ekzarkatit Apostolik për besimtarët greko-katolikë ukrainas në Britaninë e Madhe.

Në qendër të takimit, kumtimi i Ungjillit të Krishtit, thellimi dhe kremtimi i tij. Zgjedhja e temës varet nga sfidat e shumta si fenomeni i emigracionit i shumë katolikëve lindorë në rajone dhe vende me tradita e denominacione të tjera të krishtera; përballimi i kulturës individualiste dhe konsumiste, që e sheh edhe fenë si mall të thjeshtë për t’u konsumuar. Kishat Katolike Lindore po përpiqen t’u përgjigjen këtyre sfidave përmes rizbulimit të disa elementeve të traditës së tyre.

Punimet filluan sot me paraqitjen e Eparkisë londineze të Familjes Shenjte, organizatore e takimit. Në ditët e mëvonshme, ipeshkvijtë katolikë lindorë do të diskutojnë mbi tre aspekte të misionit ungjillëzues të Kishës: kumtimin, katekizmin dhe kremtimin e Sakramenteve. Në Londër janë mbledhur ipeshkvij dhe anëtarë të klerit, që përfaqësojnë 12 Kisha Katolike Lindore në Evropë. Gjatë këtyre ditëve do të kremtohet, çdo paradite, Liturgjia Hyjnore në ritet e ndryshme lindore. 








All the contents on this site are copyrighted ©.