2017-10-25 18:18:00

Papa Françesku në parathënien e librit të Carriquiry: “Amerika Latine jeton në ankth”


Papa Françesku në parathënien e librit të Carriquiry: “Amerika Latine jeton në ankth” pohon: "Një valë e pandalshme depresioni, shkaktuar nga kriza ekonomike botërore, vijon të lërë gjurmë mbi tranzicionin deri në këtë çast, kur Amerika Latine duket sikur jeton në ankthin e pasigurisë, me struktura ekonomike të cënuara rëndë, me rritjen e vazhdueshme të varfërisë e me thellimin e honeve të përjashtimit shoqëror për shumëkënd”.  Kështu shkruan Papa Françesku në parathënien e botimit të ri të librit “Memoria, Coraje Y Esperanza. A luz del Bicentenario de la Independencia de America latina” (Kujtesë, guxim e shpresë, në prag të Dyqindvjetorit të Pavarësisë së Amerikës Latine). Autor i veprës është  Guzmán Carriquiry Lecour, zëvendës-kryetar i Komisionit Papnor për Amerikën Latine.
Duke e paraqitur Librin, Ati i Shenjtë bën pyetje tejet aktuale, me vlerë të madhe përgjithësuese: “Ç’po ndodh në Amerikën Latine - pyet - a i ka mbetur akoma gjë, nga epiteti ‘kontinent i shpresës’? Apo u rikthyem tek ideologjitë, që rrënuan ekonominë e ua nxinë jetën njerëzve?”. Pasi bën këto pyetje retorike, Papa flet për sfidat dhe përparësitë, duke nxitur për të përcaktuar objektivat e mëdha kombëtare dhe latinoamerikane, me miratimin e mobilizimin e masave popullore, larg ambicjeve dhe interesave të pjesshme.
Duke kujtuar edhe mesazhin drejtuar Atdheut të tij të dashur, me rastin e dyqindvjetorit të Pavarësisë së Argjentinës, më 2016-tën. Papa shton: “Kemi nevojë për gjyshër ëndrrimtarë, që t’i nxisin të rinjtë - duke i frymëzuar me ëndrrat e tyre - të vrapojnë përpara me frymën krijuese të profecisë”. E njëjta frymë krijuese e profecisë - vëren -  u kërkohet edhe barinjve të Kishës në Amerikën Latine, larg çdo klerikalizmi të parrënjë e abstrakt”
Papa nënvizon gjestet patriotike të  emancipimit amerikan, ashtu si edhe, në zanafillë, dukjet e Zojës së Guadalupes, në kuadrin e një epoke misionare e të një bote metise tejet të vuajtur, “ngjarje të mëdha - kujton - mbi të cilat u themelua Atdheu ynë i madh latinoamerikan”. Popujt, posaçërisht më të vegjlit e më të thjeshtit  - shkruan akoma Papa - i ruajnë arsyet e tyre të mira për të jetuar e për të bashkëjetuar, për t’u dashur e për t’u flijuar, për t’u lutur e për ta mbajtur të gjallë shpresën. E edhe për të luftuar për kauzat e mëdha. Prandaj - përfundon - më intereson të bashkohem periodikisht me lëvizjet popullore, si zëdhënës i fjalëve të shenjta: “shtëpi, tokë e punë”, gjithnjë  në rend të ditës.
Libri, botuar me rastin e dyqindvjetorit të pavarësisë latinoamerikane, do të paraqitet më 16 nëntor, në sallën e madhe të Universitetit të lirë Maria Santissima Assunta (Lumsa). Ndërmjet diskutimeve, parashikohet edhe ai i sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin. Në vitin 2011, në botimin e parë të librit, kardinali i asokoshëm Jorge Mario Bergoglio shkruante, në prolog: “Atdhe do të thotë ta mbrosh çka more, jo për ta bërë konservë, por për ta dorëzuar të pacenuar në thelbin e saj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.