Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa në Shën Martë: hyni në misterin e Jezusit

Papa, pas meshës në Shën Martë

24/10/2017 17:04

Qendra e misterit të Jezu Krishtit është se “më deshi” dhe “flijoi vetveten” për mua. Për të hyrë në këtë mister, në meshën e sotme në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku i këshillon besimtarët të meditojnë Mundimet e Krishtit, Udhën e tij të Kryqit. Të shkosh në meshë, të lutesh, të jesh i krishterë i mirë, janë të gjitha gjëra të mira, nënvizon Ati i Shenjtë, por pyetja, që duhet t’i bëjmë vetes është nëse të gjitha këto gjëra na ndihmojnë të hyjmë në misterin e Jezu Krishtit.

         Homelia e Papës u nis nga Leximi i parë i liturgjisë së sotme, marrë nga Letra drejtuar Romakëve, në të cilën Shën Pali përdor kundërvënie si mëkat-hir, mosbindje-falje, në përpjekjen për të shpjeguar diçka nga misteri i Krishtit, pavarësisht se ndjehet i padenjë për një detyrë të tillë. E vetmja gjë, që mund të bëjë është ta lëshojë veten e të bjerë megjithësej në të, sepse misteri i Krishtit nuk mund të kuptohet përmes argumentimeve. Ato të çojnë deri në një pikë të caktuar, por më pas, nënvizon Papa Françesku, duhet të zhytemi thellë në të, të fundosemi në të.

         Në një pjesë tjetër, Shën Pali, duke parë Jezu Krishtin, thotë: “Më deshi e flijoi vetveten për mua”, jo për një njeri të drejtë, por për një mëkatar. Apostulli i Popujve përpiqet të na e shpjegojë këtë mister, por s’është e lehtë, nevojitet Hiri i Tënzot. “Është marrëzi” për këtë botë, thotë Shën Pali, duke komentuar flijimin e Krishtit e duke theksuar se mund të mburret vetëm me mëkatet e me Jezu Krishtin e kryqëzuar e jo me gjërat e tjera të kësaj bote. Edhe sot, vëren Papa Françesku, kur shkojmë në meshë, e dimë se Krishti është i pranishëm në Fjalën e Zotit e në Eukaresti, por kjo nuk mjafton për të hyrë në misterin e Tij:

         “Të hysh në misterin e Jezu Krishtit do të thotë më shumë, do të thotë ta lëshosh veten në atë humbëtirë mëshire, ku nuk ka fjalë: vetëm përqafim dashurie. Ajo dashuri, që e çoi drejt vdekjes për ne. Kur shkojmë për t’u rrëfyer, sepse kemi mëkatuar – po, duhet të shlyejmë mëkatet, të themi; apo i lutemi Zotit të na falë mëkatet – shkojmë, ia themi mëkatet rrëfyestarit e ndjehemi të qetë e të kënaqur. Nëse bëjmë kështu, nuk kemi hyrë në misterin e Jezu Krishtit. Nëse shkoj, shkoj për t’u takuar me Jezusin, për të hyrë në misterin e Tij, për të marrë atë përqafim faljeje për të cilin flet shën Pali, atë falje falas”.

         Pyetjes “Kush është Jezusi për ty?” mund t’i përgjigjemi “Biri i Zotit”, mund të themi krejt Besojmën, krejt Katekizmin e gjithçka themi është e vërtetë, vijon Papa Françesku, por mbërrijmë në qendrën, në thelbin e misterit të Jezu Krishtit, vetëm kur pohojmë se Ai i Lumi “na deshi” dhe “dha jetën për ne”. Kuptimi i këtij misteri, thekson Ati i Shenjtë, nuk vjen përmes studimit, por vetëm përmes Hirit të Tënzot. E Papa këshillon pjesëmarrjen në Udhën e Kryqit, atë rrugë së bashku me Krishtin për të kuptuar çastin në të cilin u dha të gjithëve përqafimin e faljes e të paqes:

         “Është bukur të marrësh pjesë në Udhën e Kryqit. Le ta bëjmë këtë në shtëpi, duke medituar çastet e Mundimeve të Zotit. Edhe shenjtorët e mëdhenj këshillonin gjithnjë të rifillohej jeta shpirtërore me këtë takim me misterin e Jezu Krishtit. Shën Tereza i këshillonte gjithnjë murgeshat e saj: për të arritur në lutjen e kundrimit - lutja më e rëndësishme e saj, më e larta - të fillonin me meditimin e Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krisht. Kryqi me Krishtin. Krishti në Kryq. Filloni të mendoni. E kështu, përpiquni ta kuptoni me zemër se ‘më deshi dhe u flijua për mua’, ‘dhuroi vetveten deri në vdekje për mua’”.

         Në Leximin e parë, Shën Pali dëshiron të na çojë pikërisht drejt këtyre thellësive të misterit të Krishtit, ripohoi Papa Françesku:

         “‘Unë jam i krishterë i mirë, shkoj në meshë të dielën, bëj vepra mëshire, them lutjet, i edukoj mirë fëmijët’: shumë mirë kjo… Por pyetja, që të bëj është: ‘Ti që bën gjithë këto gjëra, a ke hyrë në misterin e Jezu Krishtit?’ Aty, ku nuk mund të ushtrosh kontroll… Le t’ia kërkojmë këtë Shën Palit, dëshmitarit të vërtetë, njeriut që e takoi Krishtin dhe e la Atë ta takojë, duke hyrë, kështu, në misterin e Jezu Krishtit. T’i lutemi atij, shën Palit, të na japë hirin të hyjmë në misterin e Jezu Krishtit, i cili na deshi, dhuroi vetveten deri në vdekje për ne, na bëri të drejtë në sytë e Zotit, na i fali mëkatet, edhe rrënjët e mëkatit: të hyjmë në misterin e Zotit”.

         Ftesa e Papës në fund të meshës në Shtëpinë e Shën Martës është pikërisht t’ia ngulim sytë të Kryqëzuarit, “ikonës së misterit më të madh” të botës së krijuar nga Zoti, me bindjen se Krishti në Kryq është qendra e historisë, qendra e jetës së çdo njeriu.

24/10/2017 17:04