2017-10-24 17:48:00

Kard. Parolin: uji, element bashkëpunimi e jo konflikti


Lidhja ndërmjet ujit e klimës, si edhe uji si objekt konflikti e problemesh, ishte në qendër të fjalimit të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në Summit-in ndërkombëtar mbi “Ujin dhe klimën. Takimi kushtuar lumenjve të mëdhenj të botës”, që përfundon nesër në Romë. “Rritja e vazhdueshme e nevojës për ujë – nënvizoi kardinali – përfaqëson një nga sfidat më serioze të sotme dhe të nesërme përpara bashkësisë ndërkombëtare”.

Kardinali Parolin denoncoi pasojat shkatërrimtare të ndryshimeve të klimës dhe nganjëherë, edhe të veprimtarive të njeriut, duke përmendur ndotjen e burimeve ujore e të lumenjve, por edhe shpyllëzimin e zonave të tëra. Fatkeqësitë e lidhura me ujin, gjatë 30 vjetëve të fundit, përbëjnë 90% të fatkeqësive natyrore.

Së dyti, prelati foli për të ashtuquajturat “luftra për ujë”, sidomos në rastet kur lumenjtë, liqenet apo pellgjet ujore ndahen ndërmjet shumë kombeve. Kërkoi që këto raste të shndërrohen në mundësi për bashkëpunim e dialog, për paqe e solidaritet, përmes marrëveshjeve politike e teknologjike për administrimin e përbashkët të kësaj dhurate të çmuar, siç është uji.

Kardinali Parolin theksoi të drejtën për ujë të të gjithëve, sidomos të atyre, që jetojnë në kushte varfërie; vuri në dukje vlerën “shpirtërore” e “simbolike”, që i japin fetë ujit; e trajtoi ujin si faktor themelor për zhvillimin. Administrimi i keq i tij, nënvizoi, sjell keqësimin e kushteve të jetesës dhe emigracionin. Së fundi, kërkoi të gjenden forma të reja bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat për të plotësuar nevojën për ujë në botë.








All the contents on this site are copyrighted ©.