Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa Teofilit III: të bëjmë diçka sot për unitetin

Papa pranë Varrit Shenjt me Patrikët Bartolomeu e Teofili

23/10/2017 14:54

"T’i shpërvjelim mëngët tani, ashtu siç dëshiron Zoti, për të ndërtuar ardhmërinë e pajtimit të plotë dhe të bashkimit vëllazëror. Nëse nuk i përveshim, do të ishte gabimi më i rëndë i sotëm”. Këto, fjalët e Papës Françesku drejtuar Patrikut grek ortodoks të Jeruzalemit, Teofili III, të cilin e priti sot në Vatikan. Patriku i ktheu, kështu, Papës, vizitën që pati bërë në Bazilikën e Varrit të Krishtit, në maj 2014, kur patriku Teofil i shoqëroi Françeskun dhe Patrikun Bartolomeu I.

Papa shprehu rishtas “dëshirën e tij të sinqertë dhe gatishmërinë për të bërë hapa të reja në udhën drejt bashkimit të plotë ndërmjet Kishës katolike  e asaj ortodokse, sepse po të mos bëhej ky bashkim, do të ishte njëlloj si të mos i bindeshin  ftesës së fuqishme të Krishtit dhe shenjave të kohëve”.

Duke kujtuar lutjen tek Edikola e varrit të zbrazur gjatë shtegtimit në Jeruzalem, Papa Françesku shprehu kënaqësinë e thellë për restaurimin, që jo vetëm e mbrojti monumentin e së kaluarës, por krijoi kushtet që edhe në të ardhmen të jehojë dëshmia e varrit të zbrazët. Ishte restaurim, për të cilin punuan së bashku Patriarkana ortodokse, ajo armene si dhe Rojtaria françeskane e Tokës Shenjte.

Papa i shprehu, në vijim, afërsinë e tij “të gjithë atyre, që vuajnë nga shkaku i konflikteve, të cilat prej shumë vjetësh trondisin Tokën Shenjte”.

“Paqartësia e situatës - vijoi Françesku - dhe mosmarrëveshjet ndërmjet palëve, vijojnë të krijojnë atmosferë pasigurie, të kufizojnë të drejtat themelore dhe të nxisin shumëkënd t’i braktisë këto troje. Prandaj - vijoi Papa - i lutem Zotit të na ndihmojë dhe u kërkoj të gjitha subjekteve t’i shumëfishojnë përpjekjet, që të krijohen kushtet për sigurimin e një paqeje të qëndrueshme, të bazuar mbi drejtësinë dhe njohjen e të drejtave të të gjithëve”.

Për ta arriur këtë - vijoi - duhet hedhur vendosmërisht poshtë çdo lloj dhune, diskriminimi e shfaqjeje të intolerancës kundër njerëzve a vendeve  të kultit hebraik, kristian e mysliman. “Qyteti i Shenjtë, Status Quo i të cilit duhet mbrojtur e ruajtur, do të duhej të ishte një vend ku të gjithë të mund të jetojnë në paqe, përndryshe do të vijonte për të gjithë, e pa fund, spiralja e vuajtjes”.

Duke menduar, pastaj, për bashkësitë e ndryshme të krishtera të Tokës Shenjte, Papa uroi të njihen gjithnjë më shumë si pjesë përbërëse të shoqërisë, për të dhënë kontributin e tyre në të mirën e përbashkët dhe për sigurimin e paqes. Një kontribut ky, që do të ishte më i frytshëm, nëse realizohet mirëkuptimi gjithnjë më i madh ndërmjet Kishave të ndryshme të rajonit.

Posaçërisht i rëndësishëm - shpjegoi Françesku - do të ishte bashkëpunimi në rritje për mbrojtjen e familjeve dhe të rinjve të krishterë, që të mos jetojnë më në kushte të papërshtatshme, të cilat i shtyjnë të largohen nga trojet e veta. Duke punuar së bashku në këtë fushë tejet delikate, besimtarët e konfesioneve të ndryshme do të mund të njihen më mirë e të krijojnë marrëdhënie gjithnjë më vëllazërore.

Prandaj, duke iu bindur lutjes së Jezusit për të vetët në Çenakull: “… për të qenë një gjë e vetme…që bota të besojë”, Papa Françesku shprehu dëshirën e tij të sinqertë si dhe gjithë impenjimin e mundshëm për ecjen përpara në udhën drejt unitetit ndërmjet dy Kishave.

E di mirë - pohoi - se disa plagë të së kaluarës vijojnë të lënë gjurmë  në kujtesën e shumëkujt. Historia nuk mund të ndryshohet por - ftoi - pa harruar mungesën e dashurisë së krishterë gjatë shekujve, t’i sjellim së bashku sytë kah e ardhmja, kah pajtimi i plotë e bashkimi vëllazëror e t’i shpërvjelim mëngët tani, ashtu si dëshiron Zoti. “Po të mos e bënim, do të ishte faji më i madh i sotëm, do të ishte si të mos i bindeshim ftesës së Krishtit dhe shenjave të kohëve, që Shpirti Shenjt i mbjell në udhën e Kishës”.

Nuk duhet të lejojmë - tha akoma Papa Françesku - që kujtimet e epokave të kaluara në heshtje reciproke, ose duke shkëmbyer akuza të anasjellta, e as që vështirësitë e së sotmes a paqartësitë e së ardhmes, të  na pengojnë të ecim së bashku e të punojmë së bashku për kumtimin e Ungjillit e në shërbim të nevojtarëve.

E, para se të propozonte për ta thënë së bashku Atynën, Papa ripohoi afërsinë me vëllezërit e krishterë të Tokës Shenjte dhe dashamirësinë për miqtë e feve të tjera të mëdha, të pranishme në rajon, duke shpresuar e duke u lutur që “për të gjithë të arrijë sa më shpejt dita e paqes së vërtetë e të qëndrueshme”.

23/10/2017 14:54