2017-10-23 13:15:00

Papa Françesku: shumë fëmijë vdesin nga uria për shkak të idhujtarisë së parasë


Në këto kohë kur mediat kumtojnë “një mori fatkeqësish të natyrës e po aq, edhe padrejtësish”, që kanë të bëjnë posaçërisht me fëmijët, t’i lartojmë Zotit një lutje të fuqishme për t’i kthyer zemrat e njerëzve, që të adhurojnë Zotin e jo perëndinë-para. Kështu u shpreh Papa Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ungjilli i sotëm i Shën Lukës, duke propozuar shëmbëlltyrën e pasanikut, zoti i të cilit janë paratë - kujtoi Françesku - na nxit të reflektojmë sesa e kotë është të mbështetesh mbi të mirat tokësore, duke theksuar se thesari i vërtetë është lidhja me Zotin.

Përballë begatisë së të korrave të tij, ky njeri nuk ngopet, mendon t’i zgjerojë hambaret e fantazia e tij arrin deri atje, sa të besojë se mund ta zgjasë edhe jetën. Ta zgjasë pa fund. Që të mund ta shijojë pa fund! Me etjen e tij të pashuar për pasuri, na kujton menjëherë konsumizmin e tepruar.

 “Është Zoti ai, që i vë kufi kësaj kapjeje pas parasë, kur njeriu bëhet skllav i parave. E kjo nuk është përrallë e sajuar nga Jezusi: është realitet. Është realiteti i sotëm. Kur shumë njerëz jetojnë për të adhuruar paranë, për ta bërë paranë zotin e tyre. Jetojnë për të. E duke jetuar kështu e humbasin fare kuptimin e jetës. Sepse krejt pa kuptim është jeta e njeriut, që rron vetëm për paratë. Pa kuptim, për ata që grumbullojnë thesare - thotë Zoti - e nuk pasurohen para syve të Tij: nuk e dinë ç’do të thotë të pasurohesh pranë Zotit”.

Papa kujtoi një ngjarje, ndodhur shumë vjet më parë në Argjentinë - në “dioqezën tjetër” - siç e quan shpesh Buenos Aires-in, kur një sipërmarrës, ndonëse e dinte që ishte i sëmurë rëndë, bleu, kokëfortësisht, një vilë, pa menduar fare se pas pak do të paraqitjej para Zotit. E edhe sot ka njerëz të tillë, që deri në grahmat e fundit vijojnë të kenë etje e uri për paratë e për të mirat e kësaj bote, njerëz të rrethuar nga bollëku deri në velje, përballë fëmijëve të uritur, pa bukë, pa edukim, të braktisur në mëshirën e fatit. “Jemi përballë një idhujtarie që vret, që bën fli njerëzore”.

Kjo idhujtari bën që shumë njerëz të vdesin nga uria. Të mendojmë vetëm për rastin e 200 mijë fëmijëve rohingya që jetojnë në kampet e refugjatëve. Në këto kampe janë grumbulluar më se 800 mijë vetë. 200 mijë janë fëmijë. Hanë sa për të mbajtur gjallë frymën e, kur sëmuren, për ta nuk ka ilaçe. Edhe sot ndodh kjo! Nuk është e thëna e Zotit për këto kohë: jo, Zoti nuk thotë kështu. Prej këndej, lutja jonë duhet të jetë e fuqishme: “O Zot, po të lutemi, prekjua zemrën këtyre njerëzve, që adhurojnë zotin para. Ma prek edhe mua, që të mos bie në këtë idhujtari, por të di të shikoj Zotin e vërtetë”.

Një pasojë tjetër -  vijoi Papa - është lufta. Edhe kjo “familjare”.

“Të gjithë e dimë ç’ngjet kur bëhet fjalë për ndonjë trashëgimi: familjet përçahen e arrijnë deri atje, sa ta urrejnë njëra-tjetrën. Zoti, në fund, na kujton ëmbëlsisht se duhet të pasurohemi për Të. Kjo është e vetmja rrugë. Pasuri, por në Zotin. E kjo nuk do të thotë përbuzje për paranë, jo! Kjo quhet lakmi - siç thotë Zoti - lakmi e pangopur. Do të thotë të rrosh i kapur fort pas parasë".

Ja pra pse - përfundoi Ati i Shenjtë - duhet të jetë e fuqishme lutja jonë, për t’i kërkuar Zotit  themele të forta për jetën tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.