2017-10-23 12:14:00

Papa e shpall tetorin 2019, muaj të jashtëzakonshëm misionar


Në të dielën e kremtimit të Ditës Botërore Misionare, Papa Françesku njoftoi se tetori i vitit të ardhshëm do të jetë muaj i jashtëzakonshëm misionar, në mënyrë që të krishterët të jenë më të vetëdijshëm për misionin e tyre në botë.

         Shpallja e këtij muaji lajmërohet në një letër drejtuar prefektit të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinalit Fernando Filoni, i cili e ka propozuar nismën e do të kujdeset edhe për përgatitjen e saj. Papa Françesku e pati përmendur këtë dëshirë të tij qershorin e kaluar, në takimin me pjesëmarrësit e Asamblesë së përgjithshme të Veprave Papnore Misionare.

         Ati i Shenjtë u kërkon të gjithë besimtarëve “ta kenë vërtet për zemër kumtimin e Ungjillit dhe kthimin e bashkësive të tyre në realitete misionare dhe ungjillëzuese”, që “të rritet dashuria për misionin, e cila është pasion për Jezusin, por, njëkohësisht, është edhe pasion për popullin e Tij”, siç thoshte shën Gjon Pali II.

         Françesku kujton se më 30 nëntor 2019, do të kremtohet 100-vjetori i Letrës Apostolike “Maximum illud”, me të cilën Benedikti XV dëshironte t’i jepte hov të ri përgjegjësisë misionare për shpalljen e Ungjillit. Ishte viti 1919: në përfundim të konfliktit të tmerrshëm të Luftës I Botërore, që ai vetë e quajti “masakër e kotë”, Papa ndjeu nevojën ta rigjallëronte misionin e përhapjes së Ungjillit në botë, duke e spastruar nga çdo lloj kolonializmi e duke këshilluar largimin nga çdo synim nacionalist e ekspansionist, që pati shkaktuar probleme të rënda.

         “Kisha është universale, aspak e huaj për çdo popull”, pati shkruar Papa, ndërsa këshillonte edhe largimin nga çdo formë interesi, sepse vetëm kumtimi dhe dashuria e Zotit tonë Jezu Krisht, përhapur me shenjtërimin e jetës dhe me vepra të mira, janë arsyet e misionit. Benedikti XV i dha kështu hov të ri misionit, duke rizgjuar vetëdijen për detyrën e çdo të krishteri në përhapjen e Ungjillit.

Në Lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi temën e Ditës botërore, “Misioni në zemër të Kishës” dhe nënvizoi:

“I nxis të gjithë ta jetojnë me gëzim misionin, duke e dëshmuar Ungjillin në ambientet ku jetojnë e punojnë. Njëkohësisht, jemi të thirrur t’i mbështesim me dashuri, me ndihmë konkrete e me lutje, misionarët e nisur për t’u kumtuar Krishtin atyre, që akoma nuk e njohin”. E përfundoi: “Në ditën, në të cilën kremtojmë kujtimin liturgjik të shën Gjon Palit II, Papë misionar, ia besojmë ndërhyrjes së tij, misionin e Kishës në botë”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.