Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa: buzëqeshje e vështrime, gjestet e Françeskut si Enciklikë

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme - AFP

23/10/2017 15:18

Kisha ka dokumentet e saj të mëdha e pastaj ka edhe një teologji e baritori të jetës së përditshme. Kurrë si me Papën Françesku, gjestet bëjnë pjesë katërcipërisht në papni. Mjaftoi “mirëmbrëma” e tij e parë, sapo doli në llozhën e Bazilikës së Shën Pjetrit si papë, më 13 mars 2013, për të kuptuar se edhe gjuha e Vatikanit do të ndryshonte. Një libër flet për këtë Papë të takimit. Titullohet “Enciklika e gjesteve të Papës Françesku”, me autor vatikanistin e gazetës kishtare italiane “Avvenire”, Mimmo Muolo, i cili ka shkruar edhe për kardinalin Ernest Simoni-Troshani.

         Bëjnë pjesë në libër gjestet “e dashurisë dhe të mëshirës” me vështrimin e veçantë për të fundmit e kësaj toke; gjestet “baritore” të shpalljes së Vitit Shenjt dhe të reformës së Kuries; gjestet “e komunikimit” të një Pape, që nuk u ikën as rrjeteve shoqërore e as gazetarëve; së fundi, edhe gjestet “e jetës së përditshme”, të cilat e çlirojnë figurën e papës nga ajo aureolë misteri, që e pati karakterizuar në shekuj. Nga blerja e syzeve dhe e këpucëve si të ishte qytetar i thjeshtë, në jetën e tij në Shtëpinë e Shën Martës, ku dreka është e përbashkët me të tjerët e takimet më pak të filtruara nga rregullat e Pallatit Apostolik.

         Në libër, edhe Papa i gjunjëzuar në rrëfyestore, që i lë telekamerat ta shqyrtojnë, por edhe Bergoglio që lan e puth këmbët e emigrantëve dhe të të burgosurve të Enjten e Madhe të Pashkëve. Të gjithë gurë të të njëjtit mozaik, të mënyrës së Bergoglio-s për të qenë Papë; sjellje, që lënë gjurmë, përtej shkrimeve, të cilat, gjithsesi, nuk mungojnë.

         “Mesazhi arrin i fortë e i qartë – shpjegon autori, Mimmo Muolo. – Papa është si gjithë të tjerët, përpiqet të jetojë si çdo njeri i kohës sonë. E rezultati nuk është banalizimi apo nënvleftësimi i rolit. Ndodh e kundërta”, sepse Ati i Shenjtë bëhet i prekshëm, bëhet njëri nga ne për të dialoguar më mirë me burrat e gratë e kohës sonë, duke e bërë më mahnitës kumtin e Ungjillit.

         Nga “të premtet e mëshirës” në thirrjet për paqe, nga daljet për të blerë diçka tek vizitat në burg, nga tweet-et tek takimet ekumenike, Bergoglio është papa i parë, që i del haptasi përballë post-modernizmit dhe shoqërisë likuide, për ta ungjillëzuar atë, përfundon Mimmo Muolo.

23/10/2017 15:18