2017-10-20 12:32:00

Selia e Shenjtë OKB-së: mbrojtja e refugjatëve nuk është koncept abstrakt


Mbrojtja ndërkombëtare e kërkuesve të strehimit, nuk duhet të jetë koncept abstrakt, por aksion dinamik, që synon të mbrojë dinjitetin dhe sigurinë e njerëzve. Kështu u shpreh Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së së Gjenevës, kryeipeshkvi Ivan Jurkoviç, që e preku dy herë këtë temë kaq aktuale: më 17 e më 18 tetorin e kaluar. Duke folur në emër të Selisë së Shenjtë, prelati iu kundërvu politikave të ngurta si dhe zgjatjeve pafund të pranimit të kërkesave për strehim. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë shpjegoi se mekanizmat tepër të ngatërruara vënë në rrezik sigurinë e njerëzve, që kanë nevojë për mbrojtje.

Prandaj është e nevojshme të ndihmohen vendet strehuese, me vëmendje të posaçme ndaj atyre, që janë në rrugë zhvillimi, përmes praktikave të përbashkëta lidhur me procedurat e nevojshme. “Kontrolli i kufijve e mirëqenia e refugjatëve nuk mund të ndahen. Mbeten gjithnjë probleme të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin” - shpjegoi kryeipeshkvi: “të dyja përmasat duhen fuqizuar reciprokisht”. Prelati kërkoi politika kombëtare sigurie, që mbrojnë njëkohësisht si qytetarët, ashtu kërkuesit e strehimit, shpesh në ikje nga konfliktet e armatosura. “Rrugëzgjidhja, që synon vetëm sigurinë e qytetarëve, e injoron tragjedinë e njerëzve në ikje”- nënvizoi.

“Dëbimet arbitrare e kolektive, nuk janë rrugëzgjidhje” vërejti në vijim, imzot Jurkoviç, duke theksuar, në mënyrë të veçantë, ndjeshmërinë e  bashkësisë ndërkombëtare ndaj fëmijëve të pashoqëruar nga familjet e tyre  E duke folur për refugjatët e mitur, prelati nënvizoi edhe se 3,5 milionë prej tyre nuk kanë pasur mundësi të vijojnë shkollën. Prej këndej, u duhet krijuar sa më shpejt mundësia për të kryer shkollat fillore e gjysëm të mesme. E - shtoi - një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar mbrojtjes së tyre nga plagët e trafikut, të punës së detyruar dhe formave të tjera të skllavërisë.

Themelor, edhe sigurimi i shëndetit. Refugjatët kanë të njëjtin dinjitet me qytetarët e vendeve mikpritëse, prej këndej, duhet të kenë edhe të njëjtin sigurim shëndetësor. Duke iu kundërvënë idesë se mund të sjellin me vete sëmundje ngjitëse, prelati kujtoi se nuk duhet pasur frikë nga refugjatët dhe kërkoi të përfshihen në sistemet shëndetësore kombëtare. “Vendimi i shumë vëllezërve e motrave tona për të ikur nga trojet e tyre - përfundoi imzot Jurkoviç - buron nga frika e dëshpërimi, por edhe nga besimi në solidaritetin dhe në unitetin e  familjes njerëzore”.   








All the contents on this site are copyrighted ©.