2017-10-20 13:36:00

Revista “La Civiltà Cattolica”: “mbrojtja e dinjitetit është tharm i pranisë së krishterë në politikë”


“Rrjeti i mjeteve të komunikimit favorizon lidhjet ndërmjet të largtëve e të afërmve, e shkurton largësinë ndërmjet atyre, që jetojnë në të njëjtin qytet, në të njëjtën rrugë, që punojnë në të njëjtën zyrë a banojnë në të njëjtën shtëpi”. Kështu shkruan jezuiti atë Francesco Occhetta në numrin e fundit të revistës së mirënjohur të jezuitëve "La Civiltà Cattolica" (“Qytetërimi Katolik”), duke lëshuar kushtrimin: “70 vjet pas Deklaratës universale të të drejtave të njeriut, respekti për dinjitetin e të afërmit vijon të eklipsohet; në të katër anët e botës: sot dinjiteti pohohet me gojë e poshtërohet me vepra!”.

Madje, në emër të dinjitetit, “përligjen mizoritë më të egra”. Si provë për tezën e tij, atë Occhetta kujton disa tema të mëdha, në rend të ditës ndër agjendat politike ndërkombëtare, si mbarshtimi i emigracionit, e drejta e qytetarisë, reformat e drejtësisë, në të cilat theksohen format dënuese, në vend të atyre riedukuese. Kujton edhe teprimin në mbrojtjen e të drejtave subjektive, gjë që i krijoi një fëmije të sëmurë në Belgjikë, kushtet për kërkimin e eutanazisë, e një pjesë të kulturës, përfshirjen ndërmjet të drejtave të njeriut, edhe atë të abortimit, parë si e drejtë për të gëzuar lirinë vetjake  e për të vendosur mbi jetën a vdekjen e tjetrit.

Në shumë vise të Evropës  - shkruan jezuiti - po duken gjithnjë e më shpesh simbolet naziste e po ndjehet fort edhe intoleranca, sot flakëza të vogla, por që nesër mund t’i vënë zjarrin gjithçkaje të mirë e të bukur, realizuar nga njerëzimi pas rrënimeve të frikshme, trashëguar nga Lufta II Botërore. Kështu pati nisur, edhe kjo luftë, me flakëza, të cilat u bënë zjarr i hatashëm, që la pas vetëm gërmadha e hi! Tjetri shikohet si rrezik – vijon jezuiti – e kjo ndodh kur në hapësirat publike zhduken fytyrat e njeriut, që nuk ka më kohë të takohet me tjetrin e ta dëgjojë historinë e tij personale. 

Afërsia, në planin shoqëror, shikohet gjithashtu si rrezik, ndërsa largësia, si (pseudo)udhë shpëtimi. Nëse në të kaluarën takimi me një të huaj shikohej si pasuri, “sot kjo është shndërruar në një lloj kërcënimi”. E kjo pamje e sotme e njerëzimit, nuk duket aspak njerëzore, nuk e pasuron njeriun, përkundrazi, e frikëson dhe e varfëron - kujton atë Francesco Occhetta në numrin e fundit të revistës së mirënjohur të jezuitëve “Qytetërimi Katolik”. Prej këndej thekson fort se “mbrojtja e dinjitetit është tharm i pranisë së krishterë në politikë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.