2017-10-20 11:34:00

Papa Françesku në Shën Martë: as hile e as hipokrizi, vetëm vërtetësia e zemrës


Zoti na dhashtë hirin e “së vërtetës shpirtërore”. "as hile e as hipokrizi, vetëm vërtetësia e zemrës". Kjo, lutja e  Meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, gjatë së cilës Papa  Françesku u ndalua tek Letra  e Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve (Rm 3,21-30), në të cilën  shpjegohet “kuptimi që ka ndjesa e vërtetë e Zotit, ajo - shpjegoi Françesku - që na dhurohet, që është falas, që buron nga hiri i Tënzot”. E nga “vullneti i Tij”. Nuk është, pra, sigurisht, “falja që mendojmë se e meritojmë përmes veprave tona”.

“Veprat tona janë përgjigjja, që i japim dashurisë, të cilën Zoti na e dhuron, pa kërkuar kurrfarë shpërblimi. Dashurisë falas të Atij të Lumit, që na shfajsoi e që na fal, gjithnjë. E shenjtëria jonë është pikërisht pranimi i kësaj dashurie. Prej këndej Apostulli përfundon duke cituar Psalmin: ‘Të lumët ata të cilëve u janë falur fajet, të cilëve u janë mbuluar mëkatet! Lum ai njeri, të cilit Hyji nuk do t’ia numërojë mëkatin!”.  Është Zoti! Është Ai, që na e fali mëkatin e rrjedhshëm e që vijon të na falë pambarimisht, sa herë që shkojmë ta takojmë. Ne nuk mund t’ia  falim vetes mëkatet  tona, duke i shlyer përmes veprave. Sado të mira qofshin! Jo! Ne nuk mund ta falim vetveten! “Vetëm Ai fal. Nuk mund t’i gjegjemi me veprat tona kësaj ndjese”.

Në Ungjillin e sotëm sipas Lukës - vijoi Papa - Jezusi na bën të kuptojmë “një mënyrë tjetër për të kërkuar shfajsimin”, duke na propozuar figurën e atyre, që besojnë se janë të drejtë, edhe pse janë të tillë vetëm sa për sy e faqe, atyre - kujtoi Françesku - që dinë të marrin pamjen e figureve aq, sa të duken si të ishin shenjtorë të vërtetë. Kështu sillen hipokritët - shpjegoi Papa - përjashta figure, përbrenda, pleh! Shpirti i tyre është krejt i ndyrë, po përjashta duan “të duken” të drejtë, të mirë. Bëjnë çmos të duken kur agjërojnë, kur luten, kur japin lëmoshë. Por në zemrat tyre nuk ka “thelb”, jeta e tyre është e mbushur vetëm me hipokrizi; e vërteta e tyre është “asgjëja”.

Këta e trukojnë shpirtin, jetojnë të trukuar! Shenjtëria për ta është thjesht truk. Jezusi na kërkon gjithnjë të themi vetëm të vërtetën, atë që e kemi në thelb të zemrës. Prej këndej, këshilla: “kur lutesh, shko e lutu në fshehtësi; kur agjëron, atëhere po, edhe mund të trukohesh paksa, që askush të mos e shikojë në fytyrën tënde ligështinë e shkaktuar nga ngjinesa; e kur jep lëmoshë, as dora jote e majtë të mos e dijë çka dha e djathta. Jep pa u parë e pa u ndjerë. Fshehurazi”.

Shfajsimi i hipokritëve është vetëm sa për sy e faqe - vijoi Papa - ata janë “flluska sapuni”, që sot të lëbyrin sytë e nesër shpërthiqen pa shenjë pa dukë.

“Jezusi na kërkon koherencë jete, koherencë ndërmjet asaj që besojmë e asaj, që e jetojmë në shpirtin tonë. Hipokrizia, që është mënyrë jetese, bën shumë keq. Në Psalm kërkuam hirin e së vërtetës përballë Zotit. Është tejet e bukur, ajo që kërkuam: “Zot, ta rrëfeva mëkatin tim, nuk e fsheha, as s’e mbulova fajin tim, nuk e trukova para teje shpirtin tim. Thashë: ‘Do t’ia rrëfej Zotit mbrapshtitë e mia, e Ti e fale fajin tim, e shleve mëkatin tim’”. Para Zotit duhet thënë vetëm e vërteta, gjithnjë! E pikërisht e vërteta para Zotit hap rrugën për faljen e Tij.

Hipokrizia bëhet kështu “zakon”: e Françesku na tregon rrugën për t’i dhënë fund këtij zakoni të mbrapshtë: “Nuk duhet t’i akuzojmë të tjerët, por të kemi urtinë të padisim vetveten, pa u munduar t’i mbulojmë fajet tona para Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.