2017-10-20 14:27:00

Papa Françesku Akademisë së Shkencave Shoqërore: sfida të reja e bashkëpunime të reja


"Sfida të reja e bashkëpunime të reja ", “shtimi endemik e sistematik i pabarazisë dhe i shfrytëzimit të planetit” dhe “puna e padenjë e njeriut”. Këto, dy shkaqet  specifike, që ushqejnë përjashtimin dhe periferitë ekzistenciale, që u analizuan nga Papa Françesku në fjalimin drejtuar anëtarëve të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, të cilët i priti në Sallën Klementine.

E themeluar nga Shën Gjon Pali II për të nxitur studimin dhe progresin e shkencave shoqërore, ekonomike, politike e juridike si dhe për t’i ofruar Kishës elemente ndihmëse në studimin dhe zhvillimin e doktrinës së saj shoqërore, Akademia ka edhe detyrën të reflektojë për zbatimin e kësaj doktrine në shoqërinë bashkëkohore. Kujdes, ky i Papës, që gjen shprehjen në shqetësimin e tij të vazhdueshëm e që sot e nënvizoi edhe një herë me forcë.

“Pabarazia dhe shfrytëzimi nuk janë fatalitet e as konstante historike. Nuk janë fatalitet sepse, përveç sjelljeve të ndryshme individuale, varen edhe prej rregullave ekonomike, të vendosura nga shoqëria. Nëse synohet të ketë epërsi fitimi, demokracia rrezikon të shndërrohet në plutukraci, në të cilën shtohen pabarazitë e edhe shfrytëzimi i mbarë planetit”.

Përsa i takon shkakut të dytë, atij të përjashtimit shoqëror, Papa tërhoqi vëmendjen mbi botën e punës, ku ka shumë rëndësi të ketë njerëz me zemër të hapur, të aftë për marrëdhënie vëllazërore, duke nënvizuar edhe një nevojë themelore:

“..çlirimin nga presionet e lobeve publike e private, që mbrojnë interesa sektoriale e edhe kapërcimin  e formave të përtacisë shpirtërore. Duhet që veprimtaria politike të vihet vërtet në shërbim të njeriut, të së mirës së përbashkët e të respektit ndaj natyrës”.

“Vlerat themelore, si demokracia drejtësia, liria, familja, krijimi, nuk mund të flijohen në dobi të rendimentit, duke pasur parasysh se udha e vetme është ajo e “civilizimit të tregut”. E njëjta gjë, edhe për Shtetin-komb, të cilin Françesku e rishikon kështu:

“Shteti nuk mund të konceptohet si i vetmi titullar i së mirës së përbashkët duke mos u lejuar pjesëve të ndërmjetme të shoqërisë civile ta shprehin, në liri, gjithë potencialin e tyre. Kjo do të ishte shkelje e parimit të ndihmës që, bashkuar edhe me atë të solidaritetit, përbën një nga shtyllat mbi të cilat mbështetet doktrina shoqërore e Kishës. Këtu sfida është si t’i lidhësh  të drejtat individuale, me të mirën e përbashkët:

Prej këndej, së fundi, rileximi i rolit të posaçëm të shoqërisë civile:

“Roli specifik i shoqërisë civile mund të krahasohet me atë, që Charles Péguy i atribuoi virtytit të shpresës: si motër e vogël, rri ndërmjet virtyteve të tjera - fesë e dashurisë - duke i marrë për dore e duke i shtyrë përpara. Ky, më duket, është pozicioni i shoqërisë civile, ta shtyjë përpara Shtetin dhe tregun, që ta rimendojnë arsyen e të qenit të tyre si dhe mënyrën e veprimit të tyre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.