2017-10-20 10:01:00

Paraqitet libri “Xhandarmëria e Vatikanit. Nga zanafilla në ditët tona”


Bazohet mbi një sërë dokumentash, edhe të pabotuara më parë, libri i historisë së xhandarëve të Selisë së Shenjtë, paraqitur mbrëmë në Krahun e Ri të Muzeve të Vatikanit. Me autorë Sandro Barbagallo dhe Cesare Catananti, titullohet “Xhandarmëria e Vatikanit. Nga zanafilla në ditët tona” dhe është publikuar nga Shtëpia Botuese San Paolo. I pajisur me fotografi të rralla e shprehëse, vëllimi, që përmban edhe bekimin e shkruar nga Papa Françesku me rastin e 200-vjetorit të Xhandarmërisë, vlerëson një dokumentacion pak të njohur, i cili ruhet në arkivat e Sekretarisë së Shtetit dhe të vetë Trupit ushtarak brenda Vatikanit.

Hapet nga shkrime të shkurtra të Sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin, si edhe të drejtuesve të tjerë të Sekretarisë si kardinali Giuseppe Bertello, imzot Fernando Vergez Alzaga dhe imzot Angelo Becciu. Hyrja i është besuar komandantit të Xhandarmërisë, Domenico Giani. Më pas, përvijohet historia e këtij Trupi ushtarak, që e ka zanafillën të përbashkët me atë të pushtetit tokësor të Papëve. Pak e dinë se të nesërmen e Ediktit të Milanos, perandori Kostandin i dha Papës Melkiadi (311-314) dhe pasardhësit të tij, Papës Silvestri (314-355), një grup ushtarësh të armatosur për mbrojtjen dhe shërbimin e nderit. Një miniaturë e Dorëshkrimit 1622 të Bibliotekës Ambroziane provon se ky Trup ishte aktiv edhe në Mesjetë, sepse shihet qartë një grup njerëzish me uniformë e me alabardë (heshtë) pas Papës Bonifaci VIII (1294-1303), ndërsa ai shpallte Jubileun e vitit 1300.

Historia e Xhandarmërisë vijon në krejt Mesjetën deri në papninë e Eugjenit IV (1431-1447), kur xhandarët ruanin, tashmë në mënyrë të vazhdueshme, Pallatet papnore, si Roje Papnore, por edhe si policë të zakonshëm.

Deri në vitin 1378, xhandarët u zgjodhën nga Korsika, që mbahej si veçanërisht “krenare dhe guximtare”. Por duhej të arrinte fundi i viteve ‘700, kur me pushtimin napoleonik të Shtetit Papnor dhe me mërgimin e Papës Piu VI (1775-1799), shumica e tyre kaloi nën komandën e armikut. Gjest, që solli çkishërimin e xhandarëve nga Papa Piu VII (1800-1823).

Pas Kongresit të Vjenës, më 1816, Papa Piu VII i rivendosi normat në fuqi para pushtimit francez me një Motu Proprio, që, jo vetëm e reformonte thellësisht administrimin e Shtetit të Kishës, por themelonte edhe një forcë të re “ekzekutuese të drejtësisë”. Ky dokument konsiderohet baza juridike për themelimin e atij Trupi ushtarak, që më vonë do të quhet Xhandarmëria Papnore, sepse jo më larg se më 14 korrik të të njëjtit vit, pra, vetëm pak ditë pas Motu Proprio-s, Trupi u rithemelua, duke marrë emrin e Karabinierëve Papnorë.

Për herë të parë në histori, libri i paraqitur mbrëmë, dëshmon se Xhandarmëria e Vatikanit ka ekzistuar edhe më parë, pavarësisht se deri më sot, konsiderohej si datë e themelimit ajo e vitit 1816. Emri “Karabinierë” u mbajt deri më 17 shtator 1849, kur të nesërmen e lëvizjes së Republikës Romake, u formua “arma politike për Sigurinë Publike, me emrin Regjimenti i Velitëve Papnorë”, që varej nga Ministria e Armëve. Velitët janë ushtarë të armatosur lehtë. Do të jetë 15 korriku i vitit 1850, që do t’u japë këtyre ushtarëve emrin përfundimtar të xhandarëve, me miratimin e Papës Piu IX.

Me kapitullimin e Shtetit Papnor, më 20 shtator 1870, për Xhandarmërinë hapet një epokë e re. Territori i Selisë së Shenjtë u reduktua në Pallatet Apostolike të Vatikanit, pastaj: konflitet botërore, udhëtimet apostolike të Papëve, atentati kundër Gjon Palit II e në kohët e sotme, terrorizmi ndërkombëtar. Libri vë mirë në dukje aftësinë e këtij Trupi ushtarak për të ecur me kohën e me sfidat e saj. Në këtë kuadër, shihet pjesëmarrja në Interpol që nga viti 2008, formimi i Grupit të ndërhyrjes së shpejtë dhe atij antisabotazh, bashkëpunimi me policitë e shteteve të tjera. Por libri është para së gjithash, një homazh për ata njerëz, që ia kanë kushtuar jetën – e në të kaluarën edhe e kanë flijuar atë – shërbimit për Papën dhe Kishën. Prandaj, autorët kanë paraqitur jo vetëm histori e episode, por edhe emocionet e ndjenjat e njerëzve, që e kanë treguar me shërbimin e tyre cili është misioni i këtij Trupi të vlefshëm ushtarak. Në fotografitë e pabotuara më parë, fytyra e sy, të cilat duket se e mbajnë në zemër atë “fides et virtus”, që është motoja e Xhandarmërisë së Vatikanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.