2017-10-20 16:01:00

Kryeveprat e Monet ekspozohen në Romë


Nuk ishte piktor, por gjahtar mbresash. Kështu e përshkruan shkrimtari i famshëm francez, Guy De Maupassant, mikun e vet Claude Monet. Para syve të piktorit çdo ndryshim, sado i pandjeshëm, i dritës dhe i efekteve të saj mbi elementet e natyrës, bëhej menjëherë burim frymëzimi. Penelatat e dridhshme, herë fare të lehta, e herë me reliev e ngjyra të ngjeshura, përmes të cilave artisti kapte në fluturim variacionet atmosferike, mund të soditen në një ekspozitë hapur në Kompleksin Viktorian, në Romë, ku do ta presin vizitorin deri më 11 shkurt 2018.

Të 57 veprat, të gjitha ardhur nga Muzeu Marmottan Monet i Parisit, janë nga ata, që Piktori i madh i donte më shumë; prej këndej, i ruante me xhelozi në banesën e tij të Giverny. E ky është një nga aspektet, që e bën edhe më interesante ekspozitën, shpjegon kuratorja, Marianne Mathieu, zëvendës-drejtoreshë e Muzeut Marmottan: “Të vizitosh këtë ekspozitë – shton – do të thotë të ndjekësh gjithë evolucionin e veprës së Monet, duke nisur që nga fillimet e viteve ’70, epokë e ekspozitës së parë impresioniste, deri në vitin 1926, vit kur vdiq, përmes kuadrove, që ai i donte më shumë”. Kalohet nga karikaturat rinore të borgjezisë pariziane, tek portretet e famshme të familjarëve, si ai i të birit, Mikelit; nga pamjet e Londrës, në studimet e luleve e deri tek nimfat e famshme e tek ura japoneze.

E të gjitha veprat e ekspozuara, i lidh një fill i kuq – komenton akoma Marianne Mathieu - të gjitha, pavarësisht nga subjekti dhe teknikat e ndryshme - një herë teknika e zgjedhur impresioniste, më pas, pranë abstraktizmit bashkëkohor - tregojnë se artisti nuk deshi të ndalej thjesht në riprodhimin e objekteve, por, kryesisht, të pasqyronte misterin e dritës e të hapësirës. Drita e hapësira duket sikur shkojnë përtej pëlhurës në kuadrin e madh, i cili bie në sy menjëherë mbi afishen e ekspozitës. Subjekti janë nimfat e kuqe të shumëdashura, rrethuar nga pasqyrimet ngjyrë vjollcë e të blerta përmbi ujë. Monet dëshironte që dashuronjësi i artit, duke i shijuar, jo vetëm t’i shikonte, por sidomos, t’i ndjente fizikisht. Kuadrot duket sikur nuk kanë fillim, as fund. Pafundësia mbështjell me misterin e saj edhe një subjekt krejt të vogël, siç është një lule. E të duket sikur të hyn në shpirtin e etur për bukuri, duke të krijuar aty, lidhjen ndërmjet mikro e makrokozmosit. “Kaloj në ekstazë” - thoshte Monet - kur kundronte trëndafilat, shelgjet e lulevilet e kopshtit të tij të adhuruar në Giverny, të cilin e quante “vepra më e mirë, që krijova ndonjë herë”. E kuratorja na kujton:

“Nuk ka aq rëndësi subjekti, sa mënyra si e paraqet piktori, gati-gati duke e rrethuar me një kuptim transhendent. Këto peizazhe plot me pasqyrime gati-gati të lëvizshme, në ujë – thoshte Monet në moshë të shtyrë - janë bërë një me shpirtin tim. Shkojnë shumë përtej forcave të mia të lodhura nga motet, e megjithatë, vijoj t’i pikturoj, me dëshirën për ta bërë të prekshme atë që ndjej duke i soditur me një kënaqësi të papikturueshme. Prish, rifilloj, gjithnjë me shpresën se në fund të fundit do të dalë diçka e mirë. Do ta kap bukurinë, për ta përjetësuar me ngjyra, në pëlhurë!”.

Kjo ekspozitë tingëllon si rikthim në Romë i Monet që, në shoqëri të Renoir e miqve të tjerë impresionistë, pati vizituar Ligurien, e, mbi gjurmët e Turner, edhe Venedikun. Laguna me dritë-hijen e me pasyqrimet e saj kromatike të pashoqe, u bë burim i jashtëzakonshëm frymëzimi për penelin e francezit, të mësuar me dritën e Nordit.

Ekspozita romake propozon, së fundi, edhe rimaterializimin, falë arritjeve më moderne teknologjike, të Ninfee të Museum of Modern Art  të New York-ut, shkatërruar më 1958 nga zjarri. Në ekspozitë mund të soditen edhe tavolozi, llulla dhe syzet e piktorit, që i dha emrin revolucionit të impresionizmit frëng.








All the contents on this site are copyrighted ©.