2017-10-20 05:00:00

Dita Botërore e Lutjes kundër trafikut të njerëzve, më 8 shkurt


Po përgatitet Dita e katërt Botërore e lutjes dhe e reflektimit kundër trafikut të njerëzve, që do të kremtohet më 8 shkurt 2018 e do të ketë si temë “Emigracioni pa trafik. Po lirisë! Jo trafikut!”

Që më 28 nëntorin e këtij viti do të mbahet në Romë një seminar studimi në përgatitje të kësaj Dite, në Universitetin katolik “LUMSA”; më 3 shkurtin e 2018-ës do të organizohet një mbrëmje lutjeje kundër trafikut të njerëzve dhe më 12 shkurt të vitit të ardhshëm do të ketë një audiencë me Papën Françesku.

Dita e lutjes kremtohet çdo vit në përkujtimin liturgjik të shën Bakhitës, e cila, gjatë jetës pati njohur vuajtjet e skllavërisë. Promovohet nga një Komitet i koordinuar nga Talitha Kum, rrjeti ndërkombëtar i rregulltareve kundër trafikut të njerëzve. Me të bashkëpunojnë edhe një sërë organizmash e shoqatash të Kishës Katolike.

 “Edicioni 2018 na jep mundësi të shoqërojmë me lutje e me impenjimin tonë, punimet e OKB-së për Global Migration Compact – shpjegon koordinatorja e Komitetit, motër Gabriella Bottani, për agjencinë katolike Sir. – Ky i fundit është mjet ndërkombëtar me të cilin krerët e shteteve dhe të qeverive të të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara vënë në qendër të agjendës së tyre politike temën e emigrantëve dhe të refugjatëve, duke e kuptuar nevojën e një qasjeje të përbashkët e të koordinuar. Trafiku i njerëzve është një nga temat kryesore të debatit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.