Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Barcelonë, lumnimi i 109 martirëve Klaretinianë

Martirët spanjollë - RV

20/10/2017 17:41

Nesër, e shtunë, 21 tetor, në Kishën e Sagrada Familia të Barcelonës, do të shpallen të lum 109 martirët Klaretinianë, vrarë gjatë luftës civile spanjolle në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Intervistë e kardinalit Angelo Amato.

Kardinal Amato, ç’mund të na thoni lidhur me persekutimin antikristian në Spanjë, në shekullin e kaluar?

Persekutimi fetar në Spanjë, në shekullin e kaluar, qe si një epidemi e vërtetë vdekjeje e shkatërrimi, që la pas mijëra e mijëra viktima të pambrojtura e të pafajshme. E njëkohësisht, bëri të dilte në pah  guximi i mijëra e mijëra martirëve, burra e gra, gjaku i të cilëve u bë limfë jetike për dinamizmin e Kishës së sotme spanjolle. Përballë ‘tcunamit’ djallëzor të persekutimit, 109 rregulltarët Klaretinianë reaguan me shpirtin e dashurisë së krishterë e të faljes. Atyre, që deshën ta zhdukin praninë e krishterë në Spanjë, martirët iu përgjigjen duke falur, duke u lutur e duke brohoritur, para vdekjes: “Nuk kemi frikë!”.

Ç’kuptim ka sot flijimi i tyre?

Flijimi i jetës së tyre është farë e krishterimit të ri, më të fuqishëm, më të vetëdijshëm për të vërtetat e Ungjillit, që vijon të na mësojë t’i duam njëlloj miq e armiq, sepse e vetmja hakmarrje e të krishterit, është falja  e armiqve.

Si u martirizuan?

Në korrik të  vitit 1936, kur shpërtheu revolucioni, institute e kisha u kallën flakë e misionarët u shpërndanë, duke gjetur strehë në shtëpitë e  miqve e të dashamirëve. Por kjo nuk mjaftoi, për t’i shpëtuar.  Ishin shumë, nga të katër anët e Spanjës. Atë Mateo Casals Mas, që i përkiste bashkësisë së Sabadell, pranë Barcelonës, u kap, u burgos e u pushkatua në agimin e 5 shtatorit 1936. Kishte një faj të vetëm: ishte meshtar katolik.  Gjatë rrugës, që e çonte drejt vdekjes, përsëriti shumë herë me zë të lartë: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Zemra e Krishtit!”. Njëlloj u pushkatuan edhe vëllezërit e tjerë.

Pse i kremton Kisha martirët?

Kisha i kremton martirët jo për të marrë hak, por për të ripropozuar sot, si dje e si nesër, ligjin e amshuar kristian të dashurisë pa kufij. Kristianizmi propozon kulturën e paqes e të vëllazërimit e jo të luftës e të përçarjes. Krishterimi nuk rrit lulet e së keqes, por lulet e së mirës!

20/10/2017 17:41