Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa në Shën Martë: shëlbimi falas i Zotit u hap portën të gjithëve

Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës

19/10/2017 12:11

Zoti na dhashtë hirin që të kujtohemi se shëlbimi i Tij është falas, se Ai i Lumi na qëndron gjithnjë afër, duke na nxitur drejt veprave konkrete të mëshirës, materiale e shpirtërore. Kjo ishte lutja e Papës Françesku në meshën e sotme të mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.

         Ati i Shenjtë mori shkas nga Ungjilli sipas Lukës, në të cilin skribët e farisenjtë e mbanin veten si të drejtë, ndërsa Jezusi u tregon se vetëm Zoti është plotësisht i tillë. Papa shpjegoi pse dijetarët e ligjit e kishin humbur këtë vetëdije, duke ia mbyllur vetes dhe të tjerëve portat e Mbretërisë së Qiellit:

         “Ky tëhuajësim i aftësisë për ta kuptuar zbulesën e Zotit, për ta kuptuar zemrën e Hyjit, për ta kuptuar shëlbimin e Atij të Lumit – që është çelës për dijen – mund të themi se është harresë e rëndë. Harrohet se shëlbimi është falas; harrohet afërsia e Zotit e, edhe mëshira e Hyjit. E ata, që harrojnë se shëlbimi është falas, se Zoti është afër e i mëshirshëm, e marrin me vete çelësin e dijes”.

         Është gjithnjë Zoti, që na shpëton, vijoi Papa Françesku, por skribët e farisenjtë mendojnë se duhet ndjekur vetëm Ligji. Shëlbimi është aty, edhe për ta, nënvizoi Ati i Shenjtë, por ata e kthejnë në një grumbull me rregulla, të cilat, në këtë mënyrë, nuk e kanë forcën e drejtësisë hyjnore. Ligji, theksoi Papa, është gjithnjë “përgjigje për dashurinë falas të Zotit”, i cili, me inciativën e vet, erdhi të na shpëtojë. Kur e harrojmë se shëlbimi është falas, e humbasim çelësin e interpretimit të historisë së shëlbimit:

         “Për ta, Zoti është Ai, që ka bërë ligjin. Por ky nuk është Zoti i zbulesës. Hyji i zbulesës është Ai, që nisi të ecë me ne nga Abrahami deri tek Jezu Krishti, është Zoti, që ecën me popullin e vet. E kur humbet kjo marrëdhënie e afërt me Zotin, biem në mendësinë e mbyllur, së cilës i mjafton shëlbimi përmes plotësimit të ligjit”.

         Kur mungon afërsia e Zotit, kur mungon lutja, vuri në dukje Papa Françesku, “nuk mund t’ua mësojmë të tjerëve doktrinën” e as teologjinë, aq më pak, teologjinë morale. Teologjia, sipas Atit të Shenjtë, bëhet në gjunjë para altarit, sepse kulmi i afërsisë së Zotit është pikërisht Krishti i kryqëzuar mbi altar. Siç thotë Shën Pali apostull, mëkatet tona janë shpërblyer nga gjaku i Tij. Për këtë arsye, shpjegoi Papa, veprat e mëshirës janë pikë referimi për të parë nëse i krishteri e ndjek ligjin e Zotit apo jo, sepse përmes këtyre veprave prekim korpin e Krishtit, që vuan si materialisht, ashtu edhe shpirtërisht.

E njëjta përgjegjësi e skribëve dhe e farisenjve të atëhershëm, pohoi Françesku, bie edhe mbi barinjtë e sotëm të grigjës së Krishtit. Nëse ata e humbasin, ose e marrin me vete “çelësin e inteligjencës” për të kuptuar nga vjen shëlbimi, na i mbyllin ne e të tjerëve portat e Mbretërisë së Qiellit:

“Në vendin tim, kam dëgjuar shpesh famullitarët, që nuk i pagëzonin fëmijët e vajzave nëna, sepse nuk ishin lindur brenda martesës kanonike. E mbyllnin portën, e shkandullonin Popullin e Zotit…pse? Sepse zemra e këtyre famullitarëve e kishte humbur çelësin e dijes. Pa shkuar edhe aq larg në kohë e në hapësirë, para tre muajsh, në një qytet, një nënë dëshironte ta pagëzonte të birin e posalindur, por ishte e martuar në gjendjen civile me një të divorcuar. Famullitari i tha: ‘Po, po. E pagëzoj fëmijën, por burri yt është i divorcuar. Le të rrijë jashtë, nuk mund të jetë i pranishëm në ceremoni’. Kjo ndodh sot. Farisenjtë, dijetarët e ligjit, nuk janë vetëm për atëherë, edhe sot ka shumë prej tyre. Prandaj, është e nevojshme të luteni për ne barinjtë. Të luteni, që të mos e humbim çelësin e dijes e të mos ia mbyllim portën vetvetes dhe njerëzve, që duan të hyjnë”.

19/10/2017 12:11