2017-10-19 13:12:00

Papa Françesku paraqet edicionin e ri të Katekizmit


Gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” boton, para daljes së librit, paraqitjen e shkruar nga Papa Françesku për edicionin e ri të “Katekizmit të Kishës Katolike” (Qyteti i Vatikanit – Cinisello Balsamo, Shtëpia Botuese e Vatikanit – Edicionet San Paolo, 2017, faqe 1716, euro 29,90). Katekizmi ka një koment të ri teologjiko-baritor, me hyrje të shkruar nga kryetari i Këshillit Papnor për nxitjen e ungjillëzimit të ri, imzot Rino Fisichella.

“Katekizmi i Kishës Katolike – shkruan Ati i Shenjtë - paraqitet si udhë, që përmes katër etapave, mundëson kuptimin e dinamikës së fesë. Hapet me dëshirën e çdo njeriu, që mbart në vetvete dëshirën për Zotin dhe përfundon me lutjen, si shprehje e një takimi ku njeriu dhe Zoti shihen, flasin e dëgjojnë. Jeta e hirit, shprehur në veçanti nga shtatë sakramentet, si edhe stili i jetës së besimtarit, kuptuar si thirrje për të jetuar sipas Shpirtit Shenjt, janë dy etapa të tjera të nevojshme për të kuptuar plotësisht identitetin e besimtarit si dishepull misionar i Jezu Krishtit.

Në përfundim të 25-vjetorit të Kushtetutës Apostolike “Fidei depositum”, me të cilën u jepej besimtarëve Katekizmi i Kishës Katolike, nënshkruar simbolikisht nga shën Gjon Pali II, më 11 tetor 1992, në 30-vjetorin e fillimit të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, publikimi i këtij edicioni të ri, në të cilin, së bashku me Katekizmin e Kishës Katolike paraqitet një Koment teologjik baritor, është ndihmë e madhe për të hyrë gjithnjë e më shumë në kuptimin e misterit të fesë – vijon Papa Françesku.

Katekizmi i Kishës Katolike, në këtë mënyrë, bëhet një ndërmjetës i ri, përmes të cilit mund të nxiten e të mbështeten Kishat e veçanta në të gjithë botën në impenjimin e ungjillëzimit, si mjet i frytshëm për formimin, sidomos të meshtarëve dhe të katekistëve. Uroj që të njihet e të përdoret për të vlerësuar sa më mirë trashëgiminë e madhe të fesë së këtyre dymijë vjetëve të historisë sonë” – pwrfundon paraqitja e Atit të Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.