2017-10-19 14:30:00

Papa, studentëve të ekonomisë: mos iu bindni verbërisht tregut


Duhet të keni “forcën dhe guximin për të mos iu bindur verbërisht dorës së padukshme të tregut”: shkoi drejt e në zemër të problemit Papa Françesku, në audiencën me një grup studentësh të ekonomisë nga Instituti Chartreux i Lionit, shoqëruar nga eprori i shkollës katolike franceze dhe nga disa profesorë. Të rinjve, që pas përfundimit të studimeve do të punojnë në fushën e ekonomisë e të financës ndërkombëtare, Ati i Shenjtë u kërkoi një impenjim të qartë:

         “…është thelbësore që, tani e në jetën tuaj të ardhshme profesionale, të mësoni si të mbeteni të lirë nga joshja e parasë, nga skllavëria në të cilën i mbyll paraja ata, që e kthejnë në kult”.

         Papa Françesku vuri theksin mbi formimin akademik të studentëve, i cili duhet të përfshijë edhe një përmasë të fuqishme njerëzore, filozofike dhe shpirtërore. E pastaj, i inkurajoi:

         “…të bëhen nxitës dhe mbrojtës të zhvillimit të barabartë, zejtarë të administrimit të drejtë e të përshtatshëm të shtëpisë sonë të përbashkët, pra, të botës”.

E akoma, një këshillë tjetër:

“…të keni aftësinë që të vendosni për të ardhmen tuaj!”

E nëse bota pret prej jush të bëni ç’është e mundur për të arritur suksesin, shtoi Ati i Shenjtë:

“…jepini vetes mjetet dhe kohën për të përshkuar shtigjet e vëllazërimit, për të ndërtuar ura ndërmjet njerëzve e jo mure, për të shtuar gurin tuaj në ndërtesën e një shoqërie më të drejtë e më njerëzore”.

Studentëve të krishterë, një rekomandim të veçantë për të qenë gjithnjë të bashkuar me Zotin e për t’ia besuar gjithçka Hyjit në lutje:

“Në këtë mënyrë nuk do të përkuleni para tundimit për t’u shkurajuar e për t’u dëshpëruar”.

Atyre, që nuk janë të krishterë, një këshillë tjetër, frymëzuar nga mendimi i filozofit të madh Paskal:

“Mos harroni kurrë, në këndvështrimin mbi veten dhe mbi të tjerët, se ‘njeriu e tejkalon pafundësisht njeriun’. Ju inkurajoj të gjithëve të punoni për të mirën, për t’u bërë, përvujtërisht, farë e botës së re”.








All the contents on this site are copyrighted ©.