2017-10-19 00:00:00

Dita kundër varfërisë: Caritas Europa, “dilet nga situata vetëm me punë”


Nga viti 2008, vit i fillimit të krizës, deri më sot, ka pasur progres të ndjeshëm në reduktimin e papunësisë në Evropë. Por, me çmim shumë të lartë! Politikat e regjimit të kursimit vënë nën presion pagat dhe numri i “working poor”, apo punëtorëve, që nuk arrijnë ta përballojnë jetesën me pagën mujore, është më i lartë sesa gjatë krizës së parë. Punësimi është një nga mënyrat kryesore për të dalë nga varfëria, por vetëm nëse ka punë e paga të mjaftueshme për të gjithë.

Mbi këtë e vë theksin Caritas Europea që, me rastin e Ditës ndërkombëtare  për çrrënjosjen e varfërisë, u kërkon vendeve evropiane “ta marrin seriozisht angazhimin e tyre lidhur me arritjen e objektivit të zhvillimit të qëndrueshëm numër një, domethënë atë, që synon t’i japë fund një herë e mirë varfërisë”. Caritas Europa thekson në mënyrë të veçantë domosdoshmërinë e krijimit të “sistemeve të përshtatshme të mbrojtjes  shoqërore edhe të marrjes së masave të ndihmës për të gjithë, në mënyrë të posaçme për njerëzit më të ligshtë”. Liderët tanë - pohon Jorge Nuño Mayer, sekretar i përgjithshëm i Caritas Europa - duhet të na sigurojnë se askush nuk do të lihet vetëm në prag të varfërisë. Ky objektiv mund të arrihet me modele të përshtatshme e të qëndrueshme shoqërore, që kanë në qendër të vëmendjes "politikat familjare, tregjet gjithpërfshirëse të punës dhe mbrojtjen e përshtatshme sociale”. Puna, pra, në qendër të vëmendjes. Ku e kur s’ka punë, nuk mund të bëhet fjalë për çrrënjosjen e varfërisë!








All the contents on this site are copyrighted ©.