2017-10-18 13:59:00

Papa në audiencën e përgjithshme: kur arrin vdekja, Jezusi na merr për dore


Kur arrin vdekja, Jezusi na merr për dore, tha Papa në audiencën e përgjithshme. Përballë vdekjes, realitet të cilin qytetërimi ynë “priret gjithnjë më shumë ta shlyejë nga kujtesa”, duhet të kuptojmë se për kë beson, “është portë e hapur në dy kapakët”. Për dyshimtarin, është “fill drite”, që rrezaton nga plasa e një porte gjysëm të mbyllur. Ndërsa për të gjithë “do të jetë orë hiri, kur t’i shndrisë kjo dritë”. Kështu u shpreh sot Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, duke ia kushtuar edhe një herë katekizmin shpresës së krishterë e duke u ndaluar posaçërisht tek tema: “Lum të shuarit, që vdesin në Zotin”. Ndërsa duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, i ftoi të pranishmit në Sheshin e Shën Pjetrit, e edhe ne të gjithë, të mendojmë për atë çast, kur vdekja do të trokasë edhe në portat tona:

“Secili të mendojë për vdekjen e vet e ta përfytyrojë atë ças, kur Jezusi do të na marrë për dore e do të na thotë: ‘Ngreju! Eja pas meje!’. Atë çast do të marrë fund shpresa e do të nisë realiteti, realiteti i jetës së pasosur”. Mendojuni mirë - vijoi t’i ftojë besimtarët Papa - vetë Jezusi do të na vijë pranë e do të na marrë për dore me dhembshuri, me butësi, me dashuri. Prandaj secili nesh ta përsërisë fjalën e Krishtit: Ngreju, ngreju e eja, ngreju e ringjallu!

Nuk e kemi alfabetin, që do të na mundësonte të flisnim me të vdekurit.   Shpesh – vijoi të reflektojë Papa – kur vjen vdekja, na gjen të papërgatitur, pa alfabetin e duhur. E nuk i gjejmë dot fjalët e nevojshme për misterin e vdekjes, që vijon të shtegtojë çdo ditë mes nesh e të na flasë me një gjuhë krejt të panjohur për të vdekshmit. E pra njeriu lindet me kultin e të vdekurve, me këtë “enigmë”, që e përshkon tej e ndanë jetën. Disa qytetërime, “para qytetërimit tonë”, e patën guximin ta shikonin vdekjen sy më sy, si ngjarje që breznitë e vjetra ua rrëfenin të rejave e si realitet të pashmangshëm, i cili “e detyron njeriun të jetojë për diçka absolute”. E kjo, sepse numërimi i ditëve, që rrjedhin të shpejta, si ujët e lumit, e bën  njeriun të fitojë urtinë e zemrës e ta presë qetësisht fundin. Papa kujtoi se i ka dëgjuar shpesh të motnuemit duke thënë: “Jeta më kaloi si era”.

Vdekja - shtoi Papa - na bën ta shikojmë jetën tonë lakuriq. Na bën të zbulojmë se aktet tona të fodullëkut, të mllefit e të mërisë nuk janë tjetër, veçse kotësi, kotësi e kotësive! Kujtohemi me trishtim se nuk deshëm sa duhet e nuk e kërkuam çka duhej kërkuar: themeloren! E, në të kundërtën, kujtojmë edhe të mirën e njëmendtë, që e mbollëm gjatë udhës sonë, kujtojmë të dashurit, për të cilët u flijuam me gjithë zemër e që tani na marrin për dore.

Jezusi e shndrit misterin e vdekjes sonë - vijoi Françesku - duke cituar skenën para varrit të Lazrit, ku Krishti përmallohet e qan për mikun e vet. E atëherë i lutet Atit, “gurrës së jetës” e i jep urdhër Lazrit të dalë nga gryka e varrit. E kështu edhe ndodh! Shpresa e krishterë - vërejti Papa - ushqehet nga ky qëndrim që mban Jezusi kundër vdekjes njerëzore. “Nëse ajo është e pranishme në krijim, është blanë, që e shëmton planin e dashurisë së Zotit, e Shëlbuesi dëshiron ta shërojë”.

Më pas Françesku kujtoi edhe rrëfimin ungjillor të një ati, Jairit, i cili, duke e pasur të bijën shumë të sëmurë, i drejtohet me fe të gjallë Jezusit, duke iu lutur t’ia shërojë. E, reflektoi Françesku, “nuk ka figurë më prekëse se ajo e një ati a e një nëne, që e ka fëmijën të sëmurë”. Përballë vdekjes së vogëlushes, Jezusi e nxit të atin të mos ketë frikë, por fe:

“Jezusi - nënvizoi - e di se burri tundohet të veprojë me zemërim e dëshpërim, sepse vajza i vdiq. Prej këndej, e fton ta ruajë fillin e flakës, që i ndizet në zemër. ‘Mos ki frikë, ki vetëm fe!’”.

Mos ki frikë, mbaje të ndezur këtë flakë! Kjo ftesa e Zotit që, si arrijnë në shtëpi, e zgjon vajzën nga gjumi i vdekjes dhe ua rikthen gjallë të dashurve të saj.

Jezusi na ngjit në këtë kreshtë feje. Sa herë vjen vdekja për të shkulur indin e jetës e të dashurisë, Jezusi është për ne siguri, siç ishte për Martën, motrën e Lazrit, që vajton vëllain e vdekur. Jezusi është shpresë, është siguri:

“E gjithë jeta jonë - vuri në dukje Papa - luhet pikërisht këtu, ndërmjet shpatit të shpresës e greminës së frikës. Unë nuk jam vdekja – thotë Jezusi – jam ringjallja e jeta, a beson ti në këtë? Beson? Ne, që jemi sot në shesh, a besojmë në këtë? Jemi të gjithë të vegjël e të pambrojtur përballë misterit të vdekjes. Por, ç’hir i madh nëse në këtë çast e ruajmë në zemra fillin e flakës së fesë! Jezusi do të na marrë për dore, ashtu si mori të bijën e Jairit e do të përsërisë rishtas: 'Talità kum!', 'Vogëlushe, ngreju'. Do të na e thotë edhe ne, secilit nesh; 'Ringreju! Rilind!'”.

Në përshëndetjet përfundimtare, edhe në gjuhën neederlandeze, Papa kujtoi festën e Shën Lukës Ungjilltar e mjek, duke i ftuar të gjithë të kujdesen për njerëzit e sëmurë e të vuajtur.








All the contents on this site are copyrighted ©.