Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa, anëtarëve të Feve për Paqen: dhuna në emër të fesë, e fyen Zotin

Papa Françesku - AFP

18/10/2017 12:19

“Kush përdor dhunën, ose e justifikon atë, në emër të fesë, e fyen rëndë Zotin, që është paqe e burim paqeje”. Kështu u tha Papa Françesku anëtarëve të Konferencës Botërore të Feve për Paqen, që i priti sot në sallën e vogël Pali VI, para audiencës së përgjithshme.

         Paqja është detyrë urgjente dhe, besimtarët e të gjitha feve duhet t’i luten Zotit për të, ndërsa ata, që kanë përgjegjësi botërore, nuk mund të qëndrojnë asnjanës, vijoi Papa. Duke përshkuar gjendjen aktuale botërore, Ati i i Shenjtë përmendi luftrat dhe dhunën, që jo vetëm ua shkatërrojnë jetën popullsive të tëra, por tjetërsojnë vetë thelbin e paqes, vetë esencën e kohës si “dhuratë hyjnore dhe fitore njerëzore”. Papa u kërkoi të gjithëve të punojnë për paqen në mënyrë artizanale e pastaj, theksoi:

         “Në arritjen e paqes, fetë, me trashëgiminë e tyre shpirtërore e morale, kanë një rol të veçantë e të pazëvendësueshëm. Ato nuk mund të mbajnë qëndrim asnjanës e, aq më pak, të paqartë, përsa i përket paqes”.

         Papa nuk mungoi të shprehë vlerësimin dhe mirënjohjen për punën e organizatës, duke e quajtur “shërbim të çmuar si për fenë, ashtu edhe për paqen”. Promovimi i paqes, nënvizoi, bën pjesë në natyrën e feve e ato duhet ta kryejnë këtë detyrë përmes nxitjes së drejtësisë, të vëllazërimit, të çarmatosjes e të kujdesit për gjithësinë.

         Tjetër detyrë e feve, sipas Papës Françesku, është promovimi i “ekologjisë së gjithanshme”:

         “Bibla na ndihmon për këtë, duke na bërë të kuptojmë vështrimin e Krijuesit, i cili ‘shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira!’ (Zan 1,31). Fetë i kanë mundësitë për të çuar përpara së bashku një aleancë morale, që nxit respektin për dinjitetin e njeriut dhe kujdesin për gjithësinë”.

         Delegatëve të Konferencës Botërore të feve për Paqen, Ati i Shenjtë u kujtoi shembujt e mirë dhe forcën e bashkëpunimit ndërfetar kundër konflikteve e në favor të zhvillimit të qëndrueshëm. Që këtej, ftesa për të vijuar në këtë rrugë, me besim në Zotin e në vullnetin e mirë të njerëzve.

18/10/2017 12:19