2017-10-18 14:16:00

Lirohet don Maurizio Pallù: jam mirë, ndjeva afërsinë e Marisë


U lirua mbrëmë don Maurizio Pallù, meshtar italian i dioqezës së Romës, 63 vjeçar, i cili u mor peng të enjten e kaluar në Nigeri, ku shërben si misionar e katekist i Ecjes Neokatekumenale. Përkim fatlum me një ditë të shënuar për të: sot ka ditëlindjen. Të shumta, lutjet për don Maurizio-n gjatë këtyre ditëve, duke filluar nga Papa Françesku. Në mikrofonin tonë, ai tregon për robërinë:

Ishim tre vetë, që u morëm peng: një vëlla nigerian, një studente nigeriane dhe unë. Na liruan rreth orës 10 të mbrëmjes. Jam mirë! Zoti i ringjallur më shoqëroi. Pata çaste frike, por e ndjeva shumë ndihmën e shenjtorëve… Ne ia kemi besuar misionin në Nigeri Virgjërës Mari, Zemrës së Krishtit, Zemrës së Papërlyer të Marisë, shën Daniel Kombonit dhe shën Gjon Palit II, pra, është një skuadër e hekurt! Vërtet, është hera e dytë, që më rrëmbejnë, jo e para, por kësaj here e pata më të vështirë. Të dyja rrëmbimet ndodhën në festën e Zojës së Fatimës, më 13 tetor. E Zoja bën mrekulli e më liron.








All the contents on this site are copyrighted ©.