2017-10-17 08:49:00

Themelimi i Kolegjit Saverian në Shkodër më 1877


Më 17 tetor 1877 hapi dyert Kolegja Saveriane në Shkodër, në praninë e arqipeshkvit plak Pooten dhe të Atë Zef Lombardinit një institucion i ri me emrin e Shën Françesk Saverit, që populli ynë do ta kujtojë gjithmonë me nderim e mirënjohje si Kolegja Saveriane.

Kështu, Kolegji Saverian i Etërve Jezuitë në Shkodër e filloi veprimtarinë e vet në shekujt e kaluar, duke përballuar vështirësitë e pushtuesit, pengesat e fanatizmit e sulmet e antiklerikalizmit vendas. Kështu mund të themi se interesi i Jezuitëve për kulturën shqiptare është më i hershëm se Kolegji; nis që në shekullin XVIII, kur Papa shqiptar Klementi XI, posa organizoi Kuvendin e Arbënit dhe i botoi dokumentet edhe në gjuhën shqipe, hodhi idenë të mblidheshin materiale e dokumente iliro-shqiptare.

Mbledhjen e filloi Atë Riçeputi e e vazhduen etërit jezuitë Daniel Farlati e Jakob Koleti, që realizuan veprën historike fort të çmueshme “Illyricum Sacrum”, një vepër sine qua non për historinë e Shqipërisë. Ardhja e jezuitëve në Shqipëri do të shoqërohej me veprimtari të dendura fetare, arsimore, kulturore e shoqërore, të panjohura më parë në vendin tonë.

Ndër këto veprimtari kujtojmë ngritjen e shtypshkronjës së parë, botimin e revistës së parë “Elçija e Zemrës së Krishtit”, krijimin e bandës së parë muzikore e të orkestrave moderne, fillimin e artit dramatik, lulëzimin e shoqërive kulturore, patriotike e sportive, mbledhjen e koleksionit të famshëm numizmatik, hapjen e Muzeut botanik, etnografik etj. etj.

Jezuitët nisën edhe punën arsimore. E filluan me një shkollë të vogël, me pak nxënës, për të arrit te viti i paharrueshëm 1877, data 17 tetor kur në praninë e arqipeshkvit plak Pooten e të At Zef Lombardinit hapi dyert një institucion i ri me emrin e Shën Françesk Saverit, që populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë me nderim e mirënjohje si Kolegji Saverian. Ndër themelues kujtojmë At Luigjin Maca, që dhuroi nga pasuria e shtëpisë së vet 1100 napolona. Ndër laikë civilë duhen përmendur familjet shkodrane: Muzhani, Sima, Suma, Saraçi e Shiroka.

Stema e Kolegjit: në ballë shqipja dykrenore, sipër: ‘Për Zot, Për Atme e Përparim’. Filluan mësimet me seriozitetin e jezuitëve: arsim i vërtetë, i plotë, i rregullt; kulturë e përgjithshme perëndimore, qytetërim i zgjedhur evropian, me programe të studiuara e të zgjedhura; me metoda të përparuara e efikase; me mjete moderne e të reja. Shkurt, një formim i gjithanshëm perëndimor.

Me të drejtë Papa Piu X i pati thënë Imzot Serreqit: “Jeni të lum që keni jezuitët në Shkodër”. Shkolla në fillim pati drejtim tregtar, më vonë mori drejtim klasik, por gjithmonë qe e barasvlershme me shkollat më të mira të mesme të Evropës Perëndimore. E kjo edhe pse mësuesit që dhanë mësim në këtë shkollë qenë të gjithë me shkollë të lartë të kryer jashtë shteti, të gjithë autorë tekstesh a veprash me karakter letrar, gjuhësor, historik, filozofik etj.; të gjithë me një botë të pasur shpirtërore e intelektuale, të gatshëm për të zhvilluar fuqitë mendore të nxënësve për një formim intelektual të shëndoshë, por edhe për emancipimin e jetës shoqërore e kulturore si dhe për integrimin e shoqërisë shqiptare në Kontinentin e Vjetër, në mënyrë që Shqipëria, gjeografikisht në Evropë, të mos mbetej realisht në Orient.

Rrallë ka shkolla me kuadër të tillë arsimor: Atë Jak Jungu, misionar italian me zemër shqiptari, si i thoshte Shantoja, autor i një gramatike dhe i një Fjalori dygjuhësh; Atë Anton Xanoni, italian me nënë shqiptare, që shkroi vetëm shqip për ne, autor i “Prijësi në lamë të literaturës”, dhe “Gramatika e gjuhës shqipe”; Atë Fulvio Kordinjani, autor i shumë veprave; Atë Buxeti i ‘Fjalorit’ të madh; martiri Imzot Bonati që përktheu ‘Lahuten e Malcis’ italisht. Pastaj Atë Aldeghieri, Atë Fracchioni, Atë Zef Valentini, autor i shumë vëllimeve, ndërmjet të cilëve, 25 vëllimet e “Acta Albaniae Veneta”. Nder mësues shqiptarë: Filip Ashiku, Gaspër Benusi, Pjetër Marubi, Fejzullah Efendì, Kolë Dema, Dom Ndre Mjeda, mësuesi ynë i paharrueshem, siç thoshte Valentini; Etërit Mark Harapi e Zef Saraçi; Gjush Sheldija, bashkëpuntori i ngushtë i Valentinit; Musa Efendì Boriçi, Mati Logoreci, Gjon Qerraxhija, Kolë Thaçi, kater Gurakuqë, tre Rrota (vëllezërit e Pater Justin Rrotës), dy Çefa e deri te dijetari i thellë, i persekutuari i paepur e mbrojtësi i të drejtave të njeriut, Atë Pjeter Meshkalla, emrin e të cilit gëzon sot shkolla e rilindur saveriane.

Procesin mësimor e ndihmonin edhe ambientet shkollore, si kabinetet e fizikës e të kimisë e, sidomos, biblioteka shumë e pasur e jezuitëve. Këtu, si fort rrallë gjetiu, gjindeshin veprat e autorëve tanë të vjetër: Bardhit, Bogdanit, Budit, këtu ‘Illyricum Sacrum’, dhe ‘Gramatika’ e parë shqipe e Françeskos prej Leçes (1716), si thoshte Mjeda; e para gramatikë në Ballkan; “Historia bizantine” e Du Fressne e Du Cange, pastaj veprat e Hahnit, Mayer, Joklit, Kamardes, Kristoforidhit etj. etj. dhe skedari i famshëm i Atë Zef Valentinit, dorëshkrime e dokumente me rëndësi, të cilat më vonë do të grabiteshin, do të digjeshin, do të zhdukeshin, e çka do të tepronte, do të çohej për karton.

Por, nëse puna mbatet me rezultatin, atëherë vjen natyrshëm pyetja: ‘Cila shkollë ka pasur rezultate më të mira, më të frytshme se kjo shkollë? Këtu mjafton të kujtojmë vetëm disa nxënës, emrat e të cilëve flasin vetë: “Imzot Lazër Mjedën, meshtar e atdhetar i flaktë, themelues i shoqërive letrare e botuese, mecenat e lavrues i letrave shqipe; Imzot Luigj Bumçin, anëtar e pastaj kryetar i Dergatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, senator i Shqipërisë; Imzot Prengë Doçin, luftëtar i idealeve të binomit “Fe e Atdhe”, politikan e diplomat, themelues i shoqërisë “Bashkimi” e autor krijimesh artistike; Faik Konicën, aristokratin elegant të letrave shqipe, stilistin e madh e, së fundi, djaloshin e jashtëzakonshëm, Luigj Gurakuqin, përfaqësuesin e politikës kombëtare e “pionierin e qytetërimit evropian”, pastaj nxënës të tjerë të shumtë, që u bënë drejtues të administratës shqiptare, kur kjo hidhte hapat e para të jetës vërtetë demokratike.

E ajo që do ia rritë më shumë emrin e mirë kësaj shkolle, janë shumë profesorë e nxënës, që pritet të ngjiten në nderimet e elterit si martirë të fesë e të atdheut. Kujtojmë Imzot Bonatin, Atë Faustin, Atë Dajanin, seminaristin Mark Çuni, të pushkatuarit Dom Lazër Shantoja, Pater Anton Harapi, Dom Alfons Tracki, Dom Mark Dushi, Dom Dedë Maçaj, Dom Zef Bici, Dom Pjetër Çuni, Dom Luigj Pici, Dom Mark Gjani e Dom Lazër Jubani, që vdiq i helmatisur nga sigurimi komunist.

E përfundojmë këtë përkujtim të shkurtër me vlerësimin e Faik Konicës: “Me këto e të tjera, Kolegji Saverian mbahet në një shkallë të lartë dhe të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Evropës munden të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për shumë punë, të vihet në një me to”.

Ish-kolegji Saverian, sot është shndërruar në gjimnazin  "Atë Pjetër Meshkalla"

Në vitin 1990, sapo u bë i mundur rrëfimi e praktikimi fetar, me rënien e ndryshimin e regjimit komunist ateist në Shqipëri, Jezuitët u kthyen menjëherë në vendin e shqiponjave. Në shkurt të vitit 1992 hapën në kryedioqezën e Shkodrës një si "para-seminar", për një grup të rinjsh katolikë, që kishin shprehur dëshirën për t'u bërë meshtarë.

Në vitin 1994 u ristrukturua një pjesë e pronave të vjetra ku kishte qenë edhe Kolegji Saverian, në vend të të cilin ishte ndërtuar një shkollë shtetërore. Dorëzimi i kësaj ndërtese shprehte pritjen e Jezuitëve për fillimin e misionit të tyre edukativ edhe në fushën shkollore. Kështu pak nga pak u përvijuan dy realitete, ai i Seminarit, për përgatitjen e meshtarëve e të rregulltarëve të ardhshëm, dhe ai i Shkollës së Mesme, njohur zyrtarisht nga Shteti i Shqipërisë. Seminari, me rimëkëmbjen e disa prej Dioqezave të vjetra, u bë Seminar Ndërdioqezan i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të vendit, domethënë për krejt Shqipërinë, kështu nisi Shkollën e Filozofisë dhe të Teologjisë dhe inauguroi në vitin 1998 selinë e re të ndërtuar në vendin e ndërtesës së vjetër. Shpenzimet për përshtatjen e ndërtesës së shkollës dhe të Seminarit u mbuluan nga Organizma Kishtarë ndërkombëtarë (Renovabis), nga Provinca Italiane e Shoqërisë së Jezusit dhe nga shumë bamirës, që edhe sot e kësaj dite e mbështesin dhe e ndihmojnë.

Shkolla e Mesme "Pjetër Meshkalla", që është emri i një jezuiti shkodran i cili, për shkak të përballjes së tij të guximshme me regjimin komunist e për dëshminë e jashtëzakonshme për Fè e Atdhé, u bë simbol feje, kulture dhe lirie, zuri vendin e Kolegjit të mëparshëm Saverian.

Etërit jezuitë që morën drejtimin e saj, duke u frymëzuar nga tradita shekullore pedagogjike jezuite, janë duke gjallëruar shkollën sipas një projekti edukativ të hapur ndaj skenarit evropian, në kontekstin e një vendi si Shqipëria që po kalon shndërrime të thella dhe në të njëjtën kohë shumë i kushtëzuar, shpesh i bllokuar nga interesa personale dhe strategji ekonomiko-politike ndërkombëtare.

Shkolla "Pjetër Meshkalla" që nga viti 1998 ka filluar të mbledhë një numër gjithnjë e më të madh djemsh e vajzash, pa dallim feje, që formohen në këtë mjedis. Meqë kërkesat janë të shumta, nxënësit pranohen duke iu nënshtruar një konkursi. Kjo shkollë është një sfidë me rëndësi parësore për të ardhmen e Shqipërisë.

Në vitin 2000 u bë një ndarje reale e Shkollës së Mesme me Seminarin, me eprorin në rolin e Rektorit të Seminarit, atë të Drejtorit të Studimeve të Filozofisë dhe të Teologjisë, si dhe të Drejtorit të Shkollës së Mesme.

Seminari është i ndarë në tri njësi : Seminari i Ulët me rreth 30 djem; Periudha Propedeutike, që është koha e verifikimit të thirrjes dhe e plotësimit të studimeve, me numër të ndryshëm subjektesh; dhe Seminari i Lartë me seminaristë që vijnë nga të gjitha dioqezat e Shqipërisë, nga kryedioqeza e Tivarit të Malit të Zi dhe nga Administratura Apostolike e Kishës katolike në Kosovë. Kurset e Pesëvjeçarit Filozofiko-Teologjik ndiqen edhe nga klerikë të Instituteve të tjera rregulltare dhe nga disa motra, gjithsej 40 studentë.

Data 29 qershor 2000 është një datë e rëndësishme, pasi u shuguruan meshtarët e parë shqiptarë pas periudhën komuniste, të cilët përfunduan formimin e tyre në Seminarin e ri : 11 dioqezanë dhe një dyzinë meshtarësh rregulltarë.








All the contents on this site are copyrighted ©.