Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa në Shën Martë: kush nuk e dëgjon Fjalën e Zotit e kthen fenë në ideologji

Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës

17/10/2017 13:23

Të mos biem në atë marrëzi e hipokrizi, që nuk na lë ta dëgjojmë si duhet Fjalën e Zotit e çon drejt korrupsionit. Këtë nënvizoi Papa Françesku sot në mëngjes në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan.

         Reflektimi i Atit të Shenjtë u nis nga fjala “të marrë”, që për dy herë radhazi e ndeshim në liturgjinë e sotme. Jezusi ua thotë farisenjve në Ungjill (Lk 11,37-41), ndërsa Shën Pali apostull u referohet paganëve (Rom 1,16-25). Apostulli i popujve i pati quajtur “të marrë” edhe të krishterët galatas, sepse ishin gënjyer nga “idetë e reja”. Kjo fjalë, vërejti Papa, më tepër se dënim, është sinjalizim, sepse u bën të tjerëve të kuptojnë rrugën e marrëzisë, që i çon drejt korrupsionit. “Këta tre grupe hipokritësh janë të korruptuar”, vuri në dukje Françesku.

         Dijetarëve të Ligjit, Jezusi u pati thënë se u ngjanin varreve të lyera me gëlqere, për t’u dukur më pak të shëmtuara: ishin të korruptuar, sepse shqetësoheshin vetëm për pamjen e jashtme të gjërave, por jo për ç’kishin brenda në shpirt. Prandaj, ishin të korruptuar të dukjes së jashtme, të bukurisë e të drejtësisë së jashtme. Ndërsa paganët, vijoi Papa, kanë korrupsionin e idhujtarisë: korruptohen, sepse e shkëmbejnë lavdinë e Zotit - të cilën mund ta njohin përmes arsyes - me idhujt. Edhe sot ka idhujtari, theksoi Ati i Shenjtë, si për shembull, konsumizmi, ose një zot i rehatshëm, sipas qejfit të secilit. Së fundi, Papa vuri në pah ata të krishterë, që korruptohen nga ideologjitë e kështu, në vend që të jenë të krishterë të vërtetë bëhen “ideologë të krishterimit”. E shpjegoi karakteristikat e kësaj hipokrizie të marrë:

         “Hipokrizi është të mos dëgjosh; fjalë për fjalë do të thotë ‘nescio’, nga latinishtja ‘unë nuk di’, pra, t’i fusësh veshët në lesh. Paaftësia për të dëgjuar Fjalën e Zotit: kur Fjala nuk hyn, nuk e lë të hyjë, sepse nuk e dëgjoj. I marri nuk dëgjon. Ai mendon se dëgjon, por nuk e bën këtë. Bën të tijën, gjithmonë. Prandaj, Fjala e Zotit nuk mund t’i hyjë në zemër e nuk ka vend për dashurinë. E nëse hyn, hyn e distiluar, e shndërruar nga konceptimi im i realitetit. Hipokritët nuk dinë të dëgjojnë. E kjo shurdhëri i çon drejt korrupsionit. Fjala e Zotit nuk hyn, nuk ka vend për dashurinë e së fundi, nuk ka vend për lirinë”.

         Këta njerëz bëhen skllevër, vijoi Papa, sepse e shkëmbejnë “të vërtetën e Zotit me gënjeshtrën”; adhurojnë krijesat e jo Krijuesin:

         “Nuk janë të lirë e mosdëgjimi, kjo shurdhëri, nuk i lë vend as dashurisë e as lirisë: çon gjithnjë drejt skllavërisë. A e dëgjoj unë Fjalën e Zotit? A e lë të hyjë? Kjo Fjalë, që e dëgjuam duke kënduar Alelujën, kjo Fjalë e Zotit është e gjallë, shqyrton ndjenjat dhe thellësitë e zemrës. Rrënjoset, shkon në thellësi. A e lë të hyjë këtë Fjalë, apo jam shurdh? Apo e shndërroj në dukje, në idhujtari, në sjellje idhujtare, në ideologji? E nuk e lë të hyjë… Kjo është marrëzia e të krishterëve”.

         Në përfundim të meshës, Papa Françesku i ftoi të gjithë të vërejnë ikonat e të marrëve, të hipokritëve të sotëm: të krishterë laikë e, edhe barinjtë e tyre. Shën Augustini, kujtoi, i qorton ashpër, sepse “marrëzia e barinjve i bën keq grigjës”. Papa iu referua meshtarit të korruptuar, të cilit i mjafton vetvetja ashtu si paganëve, ose bariut, që rend pas ideologjive. Por Zoti është gjithnjë në pragun e portës, troket e pret, theksoi Ati i Shenjtë. Ka nostalgji për ne, për dashurinë e takimit të parë:

         “E nëse biem në këtë marrëzi, largohemi prej Tij e Hyji ndjen nostalgji. Nostalgji për ne. E me këtë nostalgji në shpirt, Jezusi derdhi lot mbi Jeruzalemin: ishte pikërisht nostalgjia për popullin e zgjedhur e të dashur prej Zotit, por që ishte larguar për shkak të marrëzisë e të hipokrizisë, që kishte parapëlqyer dukjen, idhujt dhe ideologjitë”.

17/10/2017 13:23