Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa: françeskanët, që prej 800 vjetësh, dëshmitarë të paqes në Tokën Shenjte

800-vjetori i pranisë françeskane në Tokën Shenjte - RV

17/10/2017 15:01

“Ju jeni ambasadorët e gjithë Popullit të Zotit”. “Të zellshëm për kundrim e lutje, të thjeshtë e të varfër, të bindur ndaj Ipeshkvit të Romës, impenjoheni edhe në të tashmen të jetoni në Tokën Shenjte përkrah vëllezërve të kulturave, etnive dhe feve të ndryshme, duke mbjellur paqe, vëllazërim dhe respekt”. Kështu lexohet në letrën e Papës Françesku për 800-vjetorin e pranisë françeskane në Tokën Shenjte.

         Histori shumëshekullore e lidhur me 14 majin e vitit 1217, kur në Porciunkola të Asizit, mbahet Kapitulli i Përgjithshëm i Rrëshajëve. Urdhëri françeskan vendos të përfshijë përmasën misionare dhe universale, duke i nisur fretërit në mbarë botën. Në vjeshtën e vitit 1217, fretërit e parë françeskanë zbarkojnë në Akri, të udhëhequr nga fra Elia i Kortonës. Është fillimi i një historie të pasur me dëshmi vëllazërimi e paqeje.

         Sot, kujton Papa detyrat e françeskanëve në Tokën Shenjte, kjo prani karakterizohet nga “gatishmëria për të shoqëruar hapat e shtegtarëve, ardhur nga çdo anë e botës, përmes mikpritjes dhe udhëheqjes”. Karakteristika të tjera janë edhe impenjimi i françeskanëve për kërkimin e dëshmive arkeologjike të krishtera dhe studimi i kujdesshëm i Shkrimit Shenjt.

         Përveç ruajtjes dhe kujdesit për shenjtëroret, impenjim tjetër i çmuar është “shërbimi për bashkësinë kishtare lokale”. “Ju inkurajoj – shkruan Ati i Shenjtë – të vijoni me gëzim mbështetjen e këtyre vëllezërve tanë, sidomos të më të varfërve dhe më të brishtëve; edukimin e rinisë, që shpesh rrezikon ta humbë shpresën në një kuadër akoma pa paqe; mikpritjen e të moshuarve dhe kujdesin për të sëmurët, duke jetuar konkretisht, përditë, veprat e mëshirës”.

         Në letër, Papa kujton pastaj mbështetjen e çmuar të Kongregatës për Kishat Lindore dhe “Mbledhjen e fondeve për Tokën Shenjte”, e cila kontribuon që në Tokën e Jezusit, feja të bëhet e dukshme përmes veprave. Së fundi, përmend fjalët e Shën Françeskut: “Këshilloj, pastaj, paralajmëroj dhe i nxis fretërit e mi në Zotin tonë Jezu Krisht që, kur shkojnë nëpër botë, të mos grinden, të shmangin polemikat e të mos i gjykojnë të tjerët, por të jenë të butë, paqësorë dhe të thjeshtë, të duruar e të përvuajtur, duke folur ndershmërisht me të gjithë, ashtu siç duhet” (Rregulla 3, 10-11: FF85).

         Rojtari i Tokës Shenjte, fra Francesco Patton, në një notë të publikuar nga agjencia katolike Fides, nënvizon se prania françeskane ndërthuret me historinë e shëlbimit. “Ne françeskanët – shkruan fra Patton – i interpretojmë këto tetë shekuj si dëshmi të Provanisë Hyjnore, të besnikërisë dhe të mirësisë së Zotit ndaj nesh, sepse ka zgjedhur një mjet kishtar të thjeshtë e të varfër, të larmishëm e nganjëherë, edhe pak të çrregullt, siç jemi ne, për të çuar përpara jo tonën, por historinë e Tij, që është gjithnjë histori shëlbimi”.

         Dje, gjatë ditës së parë të tri ditëve të kremtimeve për 800-vjetorin e pranisë françeskane në Tokën Shenjte, eprori i përgjithshëm i fretërve të vegjël, fra Michael Perry, u ndal në kuptimin e misionit françeskan. “Shën Françesku – tha ai – deshi për vete dhe për shokët e tij të parë një jetë përudhë, në dalje”. Në një farë mënyre, fretërit e vegjël e kanë paraprirë këshillën e Papës për të qenë Kishë në dalje.

         Në kremtimet e këtyre ditëve merr pjesë edhe Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri. Nesër, në mbyllje të festimeve, do të ketë një koncert falenderimi nga muzikantët e Institutit Magnificat, shkolla e muzikës së Rojtarisë së Tokës Shenjte, ku studiojnë të rinj të krishterë, myslimanë dhe hebrenj.

17/10/2017 15:01