Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Dokumente

Kardinali Tauran, për festën e Deepavalit: thirrje kundër intolerancës

Kremtimi i Deepavalit

17/10/2017 06:00

Në mesazhin drejtuar bashkësisë hinduiste, titulluar “Të krishterë e hinduistë: përtej tolerancës”, me rastin e festës së Deepavalit, që do të kremtohet më 19 tetor, kardinali Tauran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, duke e marrë shtytjen nga vështirësitë, që ndesh bashkësia e krishterë dhe ajo hinduiste, vë në dukje se sfida është intoleranca, shkak i dhunës në vise të ndryshme të botës. Kardinali i fton të dyja palët të reflektojnë për thellimin e respektit reciprok ndërmjet njerëzve, duke shkuar përtej tolerancës, për të përgatitur një epokë paqësore, plot  harmoni për çdo shoqëri.

“Natyrisht toleranca kërkon ta hapësh zemrën e t’i dëgjosh me durim të tjerët, duke e pranuar praninë e tyre mes nesh. Por, nëse duam të punojmë për paqe të qëndrueshme e harmoni të vërtetë, toleranca nuk mjafton” – pohon kardinali Tauran. – “Duhet shoqëruar edhe me respekt e vëmendje  ndaj larmisë së kulturave dhe të dokeve të bashkësive tona të cilat, nga ana e tyre, kontribuojnë për shëndetin dhe unitetin e shoqërisë në tërësinë e saj. Kur pluralizmi dhe larmia konsiderohen si kërcënim, vendin e tyre e zënë tragjikisht intoleranca dhe dhuna”.

“Respekti për të tjerët - vijon, në mesazhin e tij kardinali Tauran - është ilaçi më i rëndësishëm nëse duam t’i kundërvihemi intolerancës, sepse e vlerëson lart edhe dinjitetin e lindur njëherësh me njeriun. Në dritën e përgjegjësive tona ndaj shoqërisë, për ta thelluar këtë respekt, duhen nderuar doket e praktikat shoqërore, kulturore e fetare të të tjerëve e, njëkohësisht, të njihen të drejtat e patjetërsueshme, si e drejta për jetën apo ajo e shpalljes dhe e praktikimit haptas të fesë së zgjedhur.

“Udha, që duhet të përshkojnë bashkësitë e ndryshme - vijon të pohojë kryetari i Këshillit për Dialogun Ndërfetar - është ajo, që karakterizohet nga respekti. Ndërsa toleranca mjaftohet me mbrojtjen e tjetrit, respekti shkon më përtej: krijon hapësirë për gjithkënd, të bën ta ndjesh veten mirë me e mes tjerëve; të mundëson t’i shikosh ndryshimet, si shenjë larmie e pasurie në gjirin e së vetmes familje njerëzore. Në këtë mënyrë, siç e vë në dukje Papa Françesku, gjatë shtegtimit të tij në Sri Lanka, “Larmia nuk do të shikohet më si kërcënim, por si burim pasurimi”. Ndërsa, në Konferencën Ndërkombëtare të Paqes, në Al-Azhar të Kairos, Papa i nxiti krerët fetarë dhe besimtarët të marrin guximin e t’i pranojnë larmitë, sepse kush ndryshon nga unë, kulturalisht e fetarisht, nuk duhet parë e as duhet trajtuar si armik, por duhet pritur si mik e si shok udhe, me bindjen se e mira e secilit nuk mund të shkëputet nga e mira e përgjithshme.

Për të shkuar përtej tolerancës e për të ndërtuar një shoqëri të harmonishme e paqësore, kardinali Tauran i nxit të krishterët dhe hinduistët, njëherësh me besimtarët e tjerë dhe me njerëzit vullnetmirë, ta inkurajojnë, në familjet dhe në bashkësitë e tyre, edhe përmes mësimeve fetare dhe mjeteve të komunikimit, “respektin për gjithkënd, posaçërisht për njerëzit me kultura e fe të ndryshme nga tonat, që jetojnë gjithnjë mes nesh”.

Diwali, e njohur edhe si Deepawali (në sanskitisht  दीपावली, në telegu దీపావళి, në tamil தீபாவளி, në kannada ದೀಪಾವಳಿ, në sinhala ද්‍ර්‍පවාලි), është një nga festat më të rëndësishme indiane, që kremtohet në nëntor. Simbolizon fitoren e së mirës mbi të keqen. Njihet si “festa e dritave”. E kjo, sepse gjatë festës ndizen kudo dritat (qirinj a llampa tradicionale, që njihen me emrin diva. Në një mori zonash të Indisë festimet shoqërohen me shfaqje fishekzjarresh. 

17/10/2017 06:00