2017-10-16 18:38:00

Papa: kard. Hummes, Sinod i rëndësishëm për Kishën në Amazonë


Kënaqësi e madhe në rajonin Panamazonik, pasi Papa Françesku njoftoi sot mbledhjen e një Sinodi të veçantë të ipeshkvijve për këtë zonë, që do të mbahet në tetor 2019.

Në mikrofonin e Radio Vatikanit, kryetari i Rrjetit Kishtar Panamazonik (Repam), kardinali Claudio Hummes, shprehu gëzimin për lajmin. “E mirëpresim me shumë gëzim e mrënjohje për Papën e për Zotin sidomos – pohoi ai. – Ne të gjithë e falenderojmë Zotin, sepse kjo do të jetë ngjarje kishtare shumë e rëndësishme për misionin e Kishës në Amazonë. Prandaj, për ne ishte njoftimi për një hir vërtet të madh. Jemi të gjithë shumë të kënaqur dhe e dimë se e gjithë bota, aktualisht, ka interes të madh për Amazonën, edhe për shkak të krizës së klimës dhe të ambientit. Për ne katolikët e për të krishterët, në përgjithësi, sinodi do të jetë i rëndësishëm sidomos për ungjillëzimin e rajonit, ungjillëzimin e indigjenëve, që banojnë aty e që presin me shpresë t’u shkojë Kisha dhe Fjala e Zotit, që Kisha e çon gjithmonë”.

Fakti që Papa mbledh një Sinod për Amazonën, tregon shqetësimin e tij të veçantë për këtë zonë. Kardinali Hummes, duke iu përgjigjur pyetjes se ç’mund të pritet nga reflektimi i ipeshkvijve, nënvizon: “Papa dëshiron vërtet të dëgjojë ipeshkvijtë e krejt rajonit për t’u këshilluar me ta mbi udhët e reja të pranisë së tyre në vend, të afërsisë me njerëzit, por edhe mbi mënyrat e ungjillëzimit, pra, të kumtimit të Jezu Krishtit. E pastaj, edhe për gjithçka duhet të bëjë Kisha, në emër të Jezu Krishtit, në favor të çështjes shoqëroro-ambientale”.








All the contents on this site are copyrighted ©.