2017-10-16 13:06:00

Kapur rob në Nigeri, don Maurizio Pallù. Papa në lutje


Meshtari misionar nga dioqeza e Romës, don Maurizio Pallù, i lidhur me Ecjen Neokatekumenale, që prej tre vjetësh në Nigeri, është sekuestruar nga një grup njerëzish të armatosur, ndërsa po shkonte, së bashku me katër të tjerë, në Benin City, në jug të vendit. Papa lutet për të.

Sipas njoftimeve të para, rrëmbyesit mund të jenë kriminelë të zakonshëm. Në një tweet, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke, bën të ditur se “Papa Françesku u informua për meshtarin italian të rrëmbyer në Nigeri, don Maurizio Pallù dhe po lutet për të”.

Me origjinë nga Firence, 63 vjeç, hyri në seminarin Redemptoris Mater të Romës, në vitin 1988, pasi kaloi 11 vjet si misionar laik në vende të ndryshme të botës. Shërbeu në dy famulli romake e më pas, u dërgua në Hollandë, ku u bë famullitar në dioqezën e Haarlem-it. Duke qenë “meshtar itinerant” i Fondacionit “Familja e Nazaretit”, e nisin për në Afrikë, ku deri më 13 tetor, ditën e rrëmbimit, shërbeu në dioqezën e Abuja-s, në Nigeri.

Fatkeqësisht, zona është e njohur për rrëmbimin e njerëzve e, sidomos të meshtarëve e të rregulltarëve, nga grupe kriminelësh të zakonshëm, që kërkojnë shuma të mëdha të hollash. Kisha Katolike në Nigeri ka vendosur prej kohësh të mos pranojë asnjërën nga këto kërkesa e të mos paguajë për lirimin e anëtarëve të vet. Nëse do të paguante, s’do të bënte tjetër, veçse do të ushqente kriminalitetin.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.