2017-10-15 14:59:00

Papa Françesku: jeta e krishterë pa dashuri është e pafrytshme, e kotë


Marrëdhënia e të krishterëve me Zotin “nuk mund të jetë vetëm si marrëdhënia e nënshtetasve të devotshëm me pronarin e tyre apo si marrëdhënia e nxënësve të zellshëm me mësuesin e tyre, por para se gjithash është si marrëdhënia e nuses së dashur me dhëndrin”. E “nëse nuk duam ne plakemi më herët, bëhemi më të këqinj”.  Kështu tha Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës solemne, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, për kanonizimin e 35 shenjtorëve të ri. “Me fjalë tjera – tha akoma Ati i Shenjtë në homeli -, Zoti dëshiron të na ketë pranë vetes, na kërkon e na fton, dhe nuk kënaqen e nuk mjaftohet që ne t’i plotësojmë, t’i kryejmë detyrimet dhe t’i zbatojmë ligjet e tij, sepse Ai me ne do një komunikim jetësor të mirëfilltë e të sinqertë, një marrëdhënie të bazuar mbi dialogun, besimin e faljen”.

Sipas Atit të Shenjtë Françesku, “kjo është jeta e krishterë, një histori dashurie me Hyjin, ku Zotit merr nismën për të na ftuar në gostinë e tij dhe askush prej nesh mund të krenohet se ka një thirrje ekskluzive: askush nuk është më i privilegjuar se të tjerët para Hyjit, po çdonjëri dhe secili është i privilegjuar para Zotit”. “Nga kjo dashuri falas, përdëllyese dhe e privilegjuar lind e rilind gjithmonë jeta e krishterë”, vijoi Papa Françesku në homelinë e tij e shtoi, “nëse humbet dashuria, jeta e krishterë bëhet e pafrytshme, e kotë, bëhet si një korp pa shpirt, një moral i pamundshëm, një kuadër parimesh e ligjesh pa një pse””. Ndërsa, shtoi Ati i Shenjtë, “Zoti i jetës pret përgjigjen e jetës sonë, Zoti i dashurisë pret përgjigjen e dashurisë” sonë.

“Rreziku”, tha akoma Papa Françesku, është të kemi “një jetë të krishterë rutinë, në të cilën mjaftohemi me ‘normalitetin”, “pa entuziazëm, pa vrull, e me një memorie të shkurt”. Prandaj “ta rigjallërojmë kujtesën e dashurisë së parë: të kujtojmë se jemi të dashurit e Zotit, se jemi të ftuarit në dasmën e birit të Mbretit, dhe se jeta jonë është një dhuratë e Hyjit, e çdo ditë është një oportunitet i mrekullueshëm që kemi për t’iu përgjigjur ftesës së  dashurisë së Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.