2017-10-13 14:33:00

Përgatitjet për kremtimin e Zojës së Shkodrës: flet don Vlash Palaj


Bashkësia katolike e Shkodrës ka filluar përgatitjen shpirtërore për kremtimin e festës së Pajtores së vet qiellore, Zojës së Shkodrës, siç e quajnë besimtarët e këtij qyteti, Zojën e Këshillit të Mirë.

Festa tradicionale e Zojës së Shkodrës, që bie të hënën e parë pas të dielës së tretë të tetorit, kremtohet me Meshë të Shenjta, me lutje të ndryshme të përshpirtshme, procesione dhe me nisma tjera. Risia e sivjetme ka të bëjë me binjakëzimin e kërkuar nga shenjtërorja e Gjenacanit në Itali. Për më tepër të dëgjojmë famullitarin e ri të Kishës Katedrale të Shkodrës, dom Vlash Palajn në mikrofonin e Klaudia Bumçit....

Në Qytetin e Veriut të Shqipërisë, Shkodër, që prej kohëve të lashta nderohej me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës. Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan të Italisë. Historia e saj, është vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë, katoliçizëm i cili, me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, më 1468, nisi udhën e vet të kryqit. Në sa një pjesë e madhe e banorëve, gjatë pesë shekujve të robërisë, do të shtrëngohej të ndërronte fe e një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mërgimit, vetëm një pakicë do të mbetej besnike, duke vuajtur porsi gjarpri nën gur për shekuj e shekuj.

E pikërisht në këtë kohë, rreth vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe e sulltanit u dynd mbi Shkodër, sipas gojëdhënës, figurja e Zojës u shkëput nga muri i Shenjtërores rrëzë Kështjellës së Rozafës, për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake. E mbartur nga engjëjt, mbështjellë prej një reje – vijon gojëdhëna- u ndalua në Gjenacan, afër Romës.

Kjo figure, pra, nderohej në kishëzën dy herë të rrënuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa, një nga më të vjetrat në Shqipëri. Në këmbë apo gërmadhë, Kisha mbeti gjithnjë cak shtegtimi. Nuk ka besimtar që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur kisha u rrënua për herë të dytë nga diktatura enveriane, të mos jetë lutur në heshtje për ditë më të mira me një lutje tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret:

O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.