2017-10-13 16:31:00

Tweet i Papës për njëqindvjetorin e dukjeve të Fatimës


Papa shkroi sot një tweet të ri në faqen e tij @Pontifex, në nëntë gjuhë: “Në njëqindvjetorin e dukjeve të Zojës së Fatimës, falenderojmë Zotin për bekimet e panumërta që na jep, nën mbrojtjen e saj”.

13 tetori 1917 është dita e dukjes së fundit mariane para barinjve të vegjël të Fatimës, në Portugali. Majin e sapokaluar, Ati i Shenjtë shkoi për vizitë apostolike në Fatima, ku shpalli shenjtorë dy nga barinjtë, Françeskun e Xhaçintën. Në meshën e 13 majit, para shenjtërores së Zojës së Rruzares, Papa u tha më se 500 mijë besimtarëve:

         “Të dashur shtegtarë, e kemi një Nënë, e kemi një Nënë! Të kapur pas Saj si bij, përjetojmë shpresën, që mbështetet mbi Jezusin… Kur Jezusi u ngjit në Qiell, e mori me vete pranë Atit Qiellor humanitetin – humanitetin tonë – që e pati bërë të vetin në karaharorin e Virgjërës Nënë e që kurrë nuk e la. Si me një spirancë, e fiksojmë shpresën tonë në atë humanitet në Qiell, në të djathën e Atit. Kjo shpresë qoftë leva e jetës për të gjithë ne! Shpresë, që na mbështet gjithmonë, deri në frymën e fundit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.