2017-10-13 15:10:00

Papa Françesku: sporti të jetë rast për integrim dhe shpresë


“Sporti ka gjithnjë histori të mëdha për të treguar” e është gjuhë universale, që i kapërcen dallimet. Këto fjalë inkurajuese u tha Papa Françesku sot, atletëve të “Special Olympics”, pjesëmarrës në Turneun e Futbollit të Unifikuar, që zhvillohet në kuadrin e kremtimeve për 50-vjetorin e lindjes së Shoqatës Sportive Ndërkombëtare. Lëvizja, e përhapur në 170 vende të botës, organizon stërvitje dhe ngjarje sportive për të rinjtë e të rriturit me probleme mendore.

         Turneu i futbollit të unifikuar vë ballë për ballë skuadra me 9 lojtarë, 5 prej të cilëve me të meta të intelektit dhe 4 të tjerë me intelekt normal, të gjithë nga mosha 18 deri në 30 vjeç.

         Të pranishmëve, “simbole të një sporti, që hap sytë dhe zemrat ndaj vlerës dhe dinjitetit të njerëzve, të cilët, përndryshe, do të ishin objekte paragjykimesh e përjashtimesh”, Ati i Shenjtë u kërkoi që përveç argëtimit, të kultivojnë edhe miqësinë e solidaritetin. Në këtë mënyrë, sporti bëhet gjuhë universale, “që i kapërcen ndryshimet kulturore, shoqërore, fetare e fizike dhe arrin t’i bashkojë njerëzit, duke i bërë pjesëmarrës në të njëjtën lojë e protagonistë të përbashkët në fitore e humbje”.

         “Ky realitet i bukur, të cilin e zhvilloni me impenjim e bindje, ushqen shpresa për një të ardhme pozitive dhe të frytshme në sport, sepse e kthen atë në rast të vërtetë për integrim e gjithëpërfshirje”.

         Së fundi, Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të mos lodhen kurrë së treguari se bota e sportit i ka të gjitha mundësitë për të krijuar shoqëri më vëllazërore, ku njerëzit të rriten e zhvillohen, duke vënë plotësisht në punë aftësitë e tyre. “Sporti – përfundoi Papa Françesku – ka histori të mëdha për të treguar mbi njerëzit që, falë tij, kanë dalë nga mënjanimi e varfëria, kanë shëruar plagë e kanë kapërcyer aksidente”. Pikërisht këto histori janë burim frymëzimi e inkurajimi për ata që, për arsye të ndryshme, ndodhen akoma jashtë loje.








All the contents on this site are copyrighted ©.