2017-10-12 16:13:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: dy njëqindvjetorë: Fatima dhe Revolucioni i Tetorit


Ndër përvjetorët e shumtë, që kremtohen në këtë vit, dy spikasin për përkimin e tyre kohor, por edhe për kundërvënien e plotë e ballore: Fatima dhe Revolucioni i Tetorit.

         Në Kova da Iria të Fatimës, një fshat i humbur në Portugali, Zoja e Bekuar iu duk tre barinjve të vegjël gjashtë herë me radhë, nga 13 maji deri më 13 tetor 1917, duke u besuar atyre një mesazh për njerëzimin. Në Shën Pjetërburg, kryeqytet i Rusisë, ndërmjet shkurtit e tetorit të po atij viti, shpërthen një revolucion, që hyri në histori pikërisht sepse edhe ai pretendoi t’i jepte një mesazh njerëzimit. Të dyja ngjarjet kanë të përbashkët faktin se bartin një mesazh universal. Por mesazhi socialist e egalitar i Revolucionit rus të Tetorit, përgjatë gati një shekulli, tregoi gjithë potencialitetin e tij shkatërrimtar. Ndërsa mesazhi i Fatimës, i kundërvihet “gabimeve që Rusia do të përhapë në botë” me një shpresë, që arrin kulmin në fjalët e Zojës: “Në fund të fundit, Zemra ime e Papërlyer do të ngadhnjejë”. Data e përbashkët? Nesër, më 13 tetor 2017, përkujtohet 100-vjetori i fundit të dukjeve të Zojës në Fatima dhe 100-vjetori i Revolucionit të Tetorit në Rusi.

         Bolshevikët me në krye Leninin, sapo morën pushtetin, filluan “të përhapnin gabimet nëpër botë”, sepse u ndoqën nga një sërë vendesh, duke krijuar të ashtuquajturin bllok sovjetik, ku bënte pjesë edhe Shqipëria e Enver Hoxhës. Edhe diktatori shqiptar mësoi prej ndjekësve të Leninit si persekutohej aristokracia e borgjezia, por edhe të majtët e padëshiruar. Kush nuk e kujton luftën e klasave, mësuar nëpër shkolla që prej së vogli, kundër partive dhe grupeve të së majtës, që nuk bashkoheshin me bolshevikët, si menshevikët, socialistët revolucionarë dhe anarkistët.

         E pastaj, u imitua edhe persekutimi kundër të krishterëve, filluar nga Lenini e vazhduar nga Stalini, deri në fushatën e shfarosjes së “kulakëve” dhe spatrimit të radhëve të Partisë Komuniste e të Armatës së Kuqe. Shqiptarët madje, morën edhe përvojën e Mao Ce Dunit e të Revolucionit të tij Kulturor, që ndiqte gjurmët e bolshevikëve, duke i dhënë Kinës miliona martirë.

         Por të kthehemi në Rusi. U goditën me ashpërsi të paparë Kisha Ortodokse, e akuzuar për bashkëpunim me pushtetin carist e për shfrytëzimin e klasës punëtore, por edhe Kisha Katolike në Ukrainë, e cila, megjithëse pakicë, u bë objekt i veçantë i politikës shtypëse bolshevike. U goditën si anëtarët e klerit, ashtu edhe besimtarët. Njerëzit u kryqëzuan, u ngulën majë hunjësh (ekszistojnë edhe dokumenta fotografike), u dogjën të gjallë, u arrestuan, u internuan, u torturuan e shumica e kishave dhe e kuvendeve u mbyllën, ose u shkatërruan.

         Ashtu siç ndodhi edhe në Shqipëri, nuk ishte fjala për episode dhune të rastit, por për një plan të menduar e të planifikuar, në përkim me ideologjinë bolshevike, që e konsideronte fenë opium për popujt dhe institucionet kishtare si maja e shpatës së regjimit të kaluar. Lenini dhe bashkëpunëtorët e tij kishin në mendje realizimin e “njeriut të ri”, i cili duhej të ishte domosdoshmërisht ateist, prandaj shkatërrimi sistematik i çdo gjurme të jetës fetare ishte i nevojshëm për arritjen e këtij qëllimi. Shqiptarët i dinë mirë këto gjëra, por i përsërisim për t’ua kujtuar atyre, që bëjnë sikur i harrojnë, si edhe brezave të rinj, që nuk e kanë jetuar atë periudhë e u duket përrallë.

         Por pikërisht në gjirin e Kishës Katolike e të krishterëve lindi ai reagim i fuqishëm ndaj këtij revolucioni, reagim i parashikuar nga Zoja e Fatimës, që premtonte triumfin e Zemrës së saj të Papërlyer, nëse bota kthehej në udhën e Zotit. Është shpërblimi i Qiellit për ata, që e ndoqën shën Marinë deri në majën e Kalvarit, por edhe ngadhnjimi mbi tokë i “një feje të vetme, një pagëzimi të vetëm, një Kishe të vetme, Shenjte, Katolike e Apostolike”, siç u tha Zoja barinjve të vegjël të Fatimës. E dyert e ferrit nuk ngadhnjyen edhe për hir të atyre martirëve, që e mbajtën fenë e Kishën të tillë: një të vetme, Shenjte, Katolike e Apostolike e nuk deshën ta mohonin kurrsesi Krishtin. Kjo është përgjigjja që i dha Zoja Revolucionit të Tetorit, në prag të shpërthimit të tij zyrtar, më 1917. E 100 vjet më pas, kjo është beteja jonë e përditshme, besojma jonë: feja në një Kishë të vetme, Shenjte, Katolike e Apostolike - nusja e Krishtit, siç e quante Shën Pali. E mbetet akoma kërkesa e Zojës që bota të kthehet në udhën e Zotit për të mos pasur më Revolucione të Tetorit.








All the contents on this site are copyrighted ©.