100 vjet më parë, në vitin 1917, Papa Benedikti XV themelonte Kongregatën për Kishat Lindore dhe Institutin Papnor Lindor. Papa Françesku kremtoi sot paradite meshën e përkujtimit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme, në Bazilikën romake të Zojës së Madhe. Nëse atëherë “tërbohej Lufta I Botërore”, sot, nënvizoi Papa në homeli, përjetojmë “një tjetër luftë botërore, megjithëse pjesë-pjesë”.
“E shohim shumë vëllezër e motra të krishtera të Kishave Lindore të provojnë persekutime dramatike e një diasporë gjithnjë e më shqetësuese”.
Kjo na bën t’i bëjmë pyetje Zotit, t’i kërkojmë arsyen për ekzistencën e shumë të këqiave, vërejti Ati i Shenjtë:
Këto pyetje janë bërë jetë e mot, vuri në dukje Papa Françesku, sepse i gjejmë edhe në Shkrimin Shenjt. E përgjigjja është në vetë Fjalën e Zotit, që mban një libër kujtimesh “për ata, që kanë frikën e Tënzot dhe e nderojnë emrin e Hyjit”.
Ka një mënyrë për t’i kujtuar Hyjit se kemi nevojë për Të. E kjo është lutja:
“Kur lutemi, kemi nevojë për guximin e fesë: duhet të besojmë se Zoti na dëgjon, të kemi guximin të trokasim në portën e Tij”.
Vetë Zoti na thotë se kushdo kërkon, do të gjejë e, kushdo troket, do t’i hapet dera:
“Por pyes: a është vërtet kështu, lutja jonë? A na përfshin vërtet, a e prek zemrën dhe jetën tonë? A dimë si të trokasim në zemrën e Hyjit?”
Përgjigjja e Atit Qiellor do t’i kapërcejë aspiratat tona, theksoi Papa Françesku:
“Njeriu troket me lutjen e tij në portën e Zotit për të kërkuar hire. E Ai, që është Atë, më jep diçka më tepër: më jep dhuratë Shpirtin Shenjt”.
Pra, përfundoi Papa Françesku: “të mësojmë si të trokasim në zemrën e Zotit! E ta bëjmë këtë me guxim”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |