2017-10-12 14:20:00

Papa në Institutin Papnor Lindor: të njihen thesaret e Kishave Lindore


Para meshës në Bazilikën e Zojës së Madhe, në 100-vjetorin e Kongregatës për Kishat Lindore, Papa Françesku u takua me eprorët e dikasterit dhe i dorëzoi mesazhin vet prefektit, kardinalit Leonardo Sandri. E tashmja, vëren Ati i Shenjtë në mesazh, karakterizohet nga tragjedi, që s’mund të injorohen. “Me rënien e regjimeve totalitare dhe të diktaturave të ndryshme, që në disa vende, fatkeqësisht, krijoi kushte të favorshme për përhapjen e terrorizmit ndërkombëtar, të krishterët e Kishave Lindore – shpjegon Papa – po provojnë dramën e persekutimit dhe mërgimin”.

 “Para këtyre situatave, askush nuk mund t’i mbyllë sytë. Si pjesë e Kishës në dalje, Instituti Papnor Lindor është i thirrur të dëgjojë, në lutje, zërin e Zotit. Kohët, në të cilat jetojmë – shkruan Ati i Shenjtë – ashtu si 100 vjet më parë, e vendosin edhe një herë Institutin në qendër të një udhëkryqi providencial”. Është rasti, sipas Françeskut, të shfrytëzohet situata aktuale për t’i orientuar Kishat e Lindjes drejt reflektimit teologjik për jetën.

Papa përshkon datat dhe ngjarjet, që lidhen me 100-vjetorin e Institutit Papnor Lindor, themeluar më 15 tetor 1917. Në të njëjtin vit lindi edhe Kongregata për Kishat Lindore, me Motu Proprio-n “Dei Providentis” të Papës Benedikti XV. Më vonë, në vitin 1922, kujton Ati i Shenjtë, Papa Piu XI ia beson Institutin Shoqërisë së Jezusit e në vitin 1928, me enciklikën “Rerum Orientalium”, ftohen ipeshkvijtë të dërgojnë studentët në këtë Institut. Më 1929, vërehet në mesazhin e Papës Françesku, u themelua Kolegji Russicum e në vitin 1971, Fakulteti i së Drejtës kanonike Lindore.

Historia e fillimeve të Institutit Papnor Lindor, nënvizon më tej Papa, u karakterizua nga një farë konfliktualiteti ndërmjet studimit e punës baritore. Por sot, kjo kundërshti nuk ekziston më. Ati i Shenjtë i fton pedagogët “të vendosin në vendin e parë të impenjimeve të tyre punën kërkimore-shkencore, sipas shembullit të paraardhësve, që u dalluan për kontribute të çmuara”.

Më pas, Papa ndalet në misionin e Institutit Papnor Lindor: “falë punës kërkimore, mësimdhënies dhe dëshmisë”, ai duhet të jetë në gjendje “të ndihmojë në përforcimin dhe konsolidimin e fesë” para sfidave të mëdha të sotme. Pas formimit në këtë Institut, studentët duhet të jenë të gatshëm t’i japin botës arsyen e shpresës së krishterë, që i frymëzon dhe i mban gjallë.

 Instituti Papnor Lindor, sipas Papës Françesku, ka edhe një mision ekumenik, që duhet ta kryejë, duke u kujdesur për marrëdhëniet vëllazërore me gjithë të krishterët e duke studiuar çështjet, që akoma duket se shkaktojnë ndarje. Detyrë e Institutit, lexohet më tej në mesazh, është edhe ta njohin botën me “thesaret e traditave të pasura të Kishave Lindore”.

 Papa Françesku vëren se “shumë studentë të kolegjeve të ndryshme lindore në Romë frekuentojnë universitete, nga të cilat nuk marrin një formim, që përkon plotësisht me traditat e tyre”. Prandaj, nxit të reflektohet si mund të zgjidhet ky problem, pasi barinjtë e ardhshëm të Kishave Lindore duhet të dikojnë mbi besimtarët e tyre një dashuri të thellë për traditat vendore.

Së fundi, Papa uron që Instituti Papnor Lindor “të vazhdojë me hov të ri misionin e vet, duke studiuar dhe duke përhapur me dashuri e ndershmëri intelektuale, me rigorozitet shkencor e perspektivë baritore, traditat e Kishave Lindore në larminë e tyre liturgjike, teologjike, artistike dhe kanonistike, duke iu përgjigjur kështu, gjithnjë e më mirë, aspiratave të botës së sotme për një të ardhme në pajtim e në paqe”.







All the contents on this site are copyrighted ©.