2017-10-12 00:00:00

Më 12 tetor kalendari kujton shën Serafinin nga Montegranaro, rregulltar.


Më 12 tetor kalendari kujton shën Serafinin nga Montegranaro, rregulltar. Shën Serafini lindi në vitin 1540 në Montegranaro, në rajonin italian Marke. Prindërit e tij: Girolamo Rapanjano dhe Teodora Gjovanuzi, ishin thellësisht të krishterë, por edhe tepër të varfër. Nuk mundën, prandaj, ta shkollojnë djalin që i fali Zoti. Fëmija shumë shpejt u detyrua të ruante grigjat e një fshatari të pasur. Kështu i kaluan vitet e para të jetës, derisa mbushi 18 vjeç, kur trokiti në portën e kuvendit françeskan të Tolentinos.

Pas disa vështirësish, u pranua ndërmjet fretërve françeskanë kapuçinë dhe bëri noviciatin në Jesi. Shtegtoi në të gjitha kuvendet e Markeve sepse, pavarësisht nga vullneti i mirë dhe kujdesi i jashtëzakonshëm që tregonte në kryerjen e detyrave që i besoheshin, nuk ia dilte mbanësh t’i kënaqte eprorët as sivëllezërit, të cilët nuk ia kursenin vërejtjet e qortimet, shpesh edhe të padrejta. Por ai iu përgjigj gjithnjë çdo qortimi me një butësi çarmatosëse.

Mbeti gjithë jetën i varfër, i përvujtë, i pastër, i gatshëm për ta poshtëruar veten e për të lartuar të tjerët. Gjatë kryerjes së detyrës si portier, në kontakt me njerëz të të gjitha shtresave shoqërore, diti gjithnjë të gjejë fjalët e përshtatshme për secilin, të sillej me delikatesë, duke pasur një dëshirë të vetme: t’i udhëhiqte shpirtrat drejt Zotit, t’u hapte jo vetëm portën e kuvendit, po sidomos atë të Parajsës.

Në vitin 1590 Serafini u vendos përfundimisht në Askoli Piçeno. Qyteti e desh aq shumë, sa në vitin 1602, kur u përhap lajmi mbi transferimin e tij të mundshëm, autoritetet u shkruan eprorëve të mos e largonin. Kasnec i vërtetë i paqes e të mirave, kishte një ndikim të jashtëzakonshëm mbi të gjithë ata që takonte. Fjala e tij pajtonte grindje alarmante, zhdukte urrejtjen, edukonte virtytet.

Lutej, punonte, duronte, ndërsa krahas lëvdatave, nuk i munguan kurrë as qortimet e kritikat. Ashtu si nuk i mungoi kurrë as ndihma e Zotit, të cilin e pat gjithnjë pranë kudo punonte e kalonte: në kuzhinë, te porta, në kopsht. Zoti i dha hirin hyjnor të bëhej burim i paimitueshëm ngushëllimi për të gjithë njerëzit. E ai ishte gjithnjë i kënaqur, në sa dinte të lexonte vetëm dy libra: të Kryqëzuarin dhe Rruzaren Shenjte.

Shën Serafini nga Montegranaro bën pjesë në radhët e shenjtërve, të cilët e pasuruan që në fillim urdhrin kapuçin. Dinte të lutej gjithnjë, pa u lodhur kurrë, deri në atë shkallë, sa ta ndjente veten fare të shkëputur nga mjedisi që e rrethonte, duke e kundruar praninë hyjnore në gjithësi e ndër njerëz, në bashkim të përhershëm me Zotin. San Serafino da Montegranaro ReligiosoStili i tij i jetës ishte i përvujtë, pa asnjë teprim, vishej me një zhgun të arnuar e të dalë boje, por kjo nuk ia pakësonte madhështinë e shpirtit. Kishte gjithnjë e për gjithkënd diçka për të dhuruar: një fjalë, një gjest, një lëmoshë, një buzagaz, një ngushëllim. Kisha na fton të ndjekim shembullin e tij e nxit besimtarët për t’i dëshmuar me guxim vlerat e shpirti, duke ecur në gjurmët e Shenjtit Serafin.

Ishte 64 vjeç e fama e shenjtërisë së tij i kishte kaluar kufijtë e qytetit të Askolit, kur kërkoi me ngulm sakramentin e vajimit të shenjt, ndërsa askush nuk e besonte se do të vdiste. Por ai vdiq pak kohë pasi kishte marrë shujtën e shenjtë të shtegtarit, më 12 tetor 1604. Menjëherë pas vdekjes, zëri i popullit që fliste aq shumë për shenjtërinë e tij, shkoi deri në vesh të Papës Pali V, i cili autorizoi ndezjen e një llambe mbi varrin e tij. U shpall shenjt nga Papa Klementi XIII, më 16 korrik 1767.








All the contents on this site are copyrighted ©.