2017-10-11 19:29:00

Papa: tradita e fesë nuk është statike, fjala e Zotit është e gjallë


“Tradita është një realitet i gjallë dhe vetëm një vizion i pjesshëm mund të mendojë në ‘trashëgiminë e fesë’ si diçka statike”, pra si diçka të palëvizshme. Kështu tha Papa Françesku gjatë përkujtimit, në Vatikan, të 25 vjetorit të Katekizmit të Kishës Katolike, botuar më 11 tetor të vitit 1992, nga Papa Gjon Pali II.

“Fjala e Zotit nuk mund të ruhet e mbyllur me barë tenje (naftaline) si të ishte një batanije e vjetër për t’u mbrojtur nga parazitët! Jo – vijoi Papa-. Fjala e Zotit është një realitet dinamik, përherë e gjallë, që përparon e rritet sepse shkon drejt një plotësimi që njerëzit nuk mund ta ndalin”.  “Ky ligj i progresit sipas formulës fatlume të shën Vinçencit nga Lernis: ‘annis consolidetur, dilatetur tempore, sublimetur aetate’ (Commonitorium, 23.9: Pl 50), i përket kushteve të veçanta të së vërtetës së dëftuar (zbuluar) në aktin e transmetimit të saj Kishës, e nuk domethënë aspak një ndryshim i doktrinës”, tha akoma Papa Françesku.

Gjithmonë duke cituar në fjalimin e tij shën Vinçencin nga Lerins, Papa nënvizoi: “Ndoshta ndokush thotë: prandaj në Kishën e Krishtit nuk do të ketë kurrë asnjë përparim të religjionit? Do të ketë sigurisht, e madje një përparim tejet të madh. Vërtet, kush do të jetë ai njeri kaq synim keq, kaq kundër Zotit sa ta ndalojë?” (Commonitorium, 23.1:PL50). “Nuk mund të ruhet doktrina pa e ndihmuar përparimin e saj dhe as që mund të lidhet me një lexim rigoroz e të pandryshueshëm, pa e mposhtur nismën e Shpirtit Shenjt – shtoi Papa Françesku -. ‘Mbasi Hyji herë mbas here dhe në mënyrë të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve’ (Hb 1,1), ‘nuk pushon së foluri me Nusen e të Birit të vet’ që është Kisha (Dei Verbum, 8). Këtë zë jemi të ftuar ta pranojmë me ‘dëgjimin religjioz’ (ibid.,1), për t’i mundësuar ekzistencës sonë kishtare të përparojë me të njëjtin entuziazëm të fillimeve, drejt horizonteve të reja që Zotit ka ndërmend të na çojë”. 

Papa Françesku shpjegoi në fjalën e tij se “njëzetepesë vjetori i Kushtetutës apostolike Fidei depositum, me të cilën shën Gjon Pali II botonte Katekizmin e Kishës Katolike, tridhjetë vjet pas hapjes së Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, është një rast i volitshëm e domethënës për të verifikuar ecjen që është bërë ndërkohë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.