Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Papa Françesku, në përkujtimin e katekizmit: mjaft me dënimin me vdekje

Papa Françesku në Sallën e Sinodit - AFP

11/10/2017 19:00

“Duhet ta pohojmë me forcë se dënimi me vdekje është masë çnjerëzore, që përul dinjitetin personal, në çfarëdo mënyre të ekzekutohet”. Kështu foli Papa Françesku në përkujtimin e 25-vjetorit të katekizmit të Kishës Katolike, në Vatikan. Si sot, 25 vjet më parë shën Gjon Pali II nënshkroi Kushtetutën Apostolike “Fidei Depositum”. Teksti shoqëronte daljen e Katekizmit të risuar të Kishës Katolike, prandaj, në Sallën e Sinodit, u zhvillua sot një përkujtim solemn, në praninë e Atit të Shenjtë.

Dënimi me vdekje, nënvizoi Papa, “është kundër Ungjillit, sepse, vullnetarisht, merret vendim për ta zhdukur një jetë njerëzore, e cila është gjithnjë e shenjtë në sytë e Krijuesit”. Sado i rëndë të jetë krimi, dënimi me vdekje është i papranueshëm, pasi shkon kundër padhunueshmërisë dhe dinjitetit të njeriut.

Kardinaj, ipeshkvij, ambasadorë, teologë, profesorë, ekspertë të katekizmit e vetë katekistët u mblodhën nga Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, kryetari i të cilit, imzot Rino Fisichella, mbajti fjalën hyrëse. Relatorët, ndër të cilët edhe kardinali i Vjenës, Schonborn, që në kohën e daljes së katekizmit ishte Sekretar i Komisionit të ngarkuar me hartimin e tij, sollën atmosferën e atyre viteve dhe përpjekjet e Kishës për të ecur me kohën, duke pasur parasysh nevojat e edukimit të të rinjve në fenë e krishterë. Ati i Shenjtë foli në orën 18.15.

Përmendi temën e dënimit me vdekje, duke u shprehur fuqishëm kundër tij, sepse, sipas Papës Françesku, kjo problematikë duhet të gjejë më tepër hapësirë në Katekizmin e Kishës Katolike. Theksoi rolin e papëve të fundit dhe përparimin e doktrinës së krishterë në këtë fushë. “Askush – citoi Papa, Letrën e shkruar prej tij për presidentin e Komisionit Ndërkombëtar kundër dënimit me vdekje, më 20 mars 2015  – as vrarësi, nuk e humb dinjitetin e tij personal, sepse Zoti është Atë, që pret gjithnjë kthimin e të birit, i cili, duke e ditur se ka gabuar, kërkon falje dhe fillon një jetë të re. Prandaj, askujt nuk mund t’i hiqet jo vetëm jeta, por edhe vetë mundësia për të ndryshuar moralisht dhe ekzistencialisht në favor të bashkësisë”.

Papa Françesku nuk mungoi t’i referohet historisë, kur dënimi me vdekje zbatohej edhe në Shtetin Papnor, duke harruar se mëshira vjen para drejtësisë. “Marrim përsipër përgjegjësinë për të kaluarën dhe pranojmë se ato mjete diktoheshin nga një mendësi më tepër legaliste se kristiane. Shqetësimi për ta ruajtur të paprekur pushtetin dhe pasurinë materiale kishte bërë të mbivlerësohej vlera e ligjit, duke penguar thellimin në kuptimin e Ungjillit”. Por sot, nuk mund të qëndrojmë në këto ide, vërejti Ati i Shenjtë, i cili sqaroi se Kisha nuk e mohon të kaluarën, por kujton se gjithnjë doktrina e saj ka mbrojtur jetën nga zënia deri në vdekjen e natyrshme. Prandaj, beteja për heqjen e dënimit me vdekje përkon me mësimet e saj të përhershme.

Në paradhomën e Sallës Pali VI, të pranishmit mundën të shihnin një ekspozitë me vëllimet e Katekizmit në gjuhë të ndryshme të botës. Latinishtja, gaelishtja, farsi, suahili, japonishtja e gjuha koreane ishin disa nga rreth 50 gjuhët në të cilat është përkthyer Katekizmi, pa përmendur edhe gjuhën e të verbërve “braille”, Katekizmin në video dhe në format dixhital.

Me këtë rast, u paraqit edhe  Komenti i ri Teologjik për Katekizmin e Kishës Katolike, publikuar në të njëjtin vëllim me Katekizmin. Me hyrjen e shkruar nga Papa Françesku, ai është libër i hartuar me ndihmën e 40 autorëve ndërkombëtarë, të cilët komentojnë çdo nen të Katekizmit, për ta bërë më të kuptueshëm e më të lehtë për t’u përdorur nga të gjithë.

11/10/2017 19:00