Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Më 11 tetor kalendari përkujton të shën Gjonin XXIII, papë

Papa Giovanni XXIII in Vaticano in una foto d'archivio. ANSA/CS - ANSA

11/10/2017 12:40

Shën Gjoni XXIII, Papa Angelo Roncali lindi në Sottomonte, qytezë pranë Bergamos, më 25 nëntor 1881. Ishte bir i një familjeje gjysmatarësh. Si u bë prift, vijoi të jetonte për 15 vjet në Bergamo, ku shërbeu si sekretar i ipeshkvit e mësues në seminar. Pas shpërthimit të Luftës I Botërore, u thirr nën armë si kapelan ushtarak. Në përfundim të luftës, jeta e tij mori një kthesë të ndjeshme. Nisi veprimtarinë diplomatike në shërbim të Selisë së Shenjtë, si vizitator apostolik në Bullgari e në Turqi. Më 1994 qe Nunc në Paris, për t’u bërë, më 1953, Patriark i Venedikut.

Më 28 tetor 1958 u ul në fronin e Shën Pjetrit, si pasardhës i Piut XII, duke marrë emrin Gjoni XXIII. Papnoi nga 4. 11. 1958 deri më 03. 06. 1963. Më 11 tetor 1962, Papa Gjoni XXIII kumtonte hapjen e Koncilit të Vatikanit II. Me të Kisha do të niste një rrugë ndryshimesh: do të zbriste në botë, duke thyer skemat shekullore; do të bashkohej me mbarë familjen njerëzore, duke jetuar së bashku me të frikën e shpresën, gëzimet e ankthet. Hapje kilometrike e revolucionare, fiksuar në mënyrë të pashlyeshme në faqet e njohura të Kushtetutës baritore "Gaudium et Spes".

Shërbëtori i mirë e besnik i Zotit, Shën Gjoni XXIII, sot në dritën e përkujtimit të tij liturgjik, vdiq më 3 qershor 1963.  E kujtojmë se bota pati ndaluar frymëmarrjen atë çast, në sa turmat e njerëzve prisnin lajme nën dritaret e Pallatit Apostolik në Vatikan: një njeri jepte shpirtin në duart e Zotit, pasi i kishte shërbyer besnikërisht Kishës së tij. Quhej nga të gjithë "Papa i Mirë", kishte fituar simpatinë e miqve e të armiqve si njeri i paqes, që shmangu rrezikun e konfliktit bërthamor ndërmjet Bashkimit Sovjetik e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në festën e përkujtimit të sotëm liturgjik, po e kujtojmë me fjalët e tij: "Dita ime tokësore po mbaron, por Krishti jeton e Kisha vijon misionin e Saj në kohë e në hapësirë". Vijon të na porosisë ta presim me fe e ngazëllim Krishtin, Mbretin tonë: mbret i vërtetësisë, i lirisë, i drejtësisë dhe i dashurisë. Janë këto katër shtyllat mbi të cilat mund të ngrihet ndërtesa e vërtetë e paqes, ashtu si shkruante Papa Shën Gjoni XXIII në enciklikën "Pacem in Terris”, Dokument historik, më aktual se kurrë që, sipas porosisë së të Lumit, duhet ta lexojmë, ta meditojmë, ta vëmë në jetë. Do të jemi, atëherë "të lumtur, sepse bij të vërtetë të Zotit e të paqes".

Në Martirologun Romak për Shën Gjonin XXIII shkruhet: “Njeri i pajisur me humanizëm të jashtëzakonshëm, me jetën, veprat e zellin e tij të zjarrtë baritor u përpoq të përhapte kudo begatinë e dashurisë së krishterë e të promovonte bashkimin vëllazëror ndërmjet popujve. Posaçërisht i vetëdijshëm për misionin e frytshëm të Kishës së Krishtit në botën mbarë, thirri Koncilin II të Vatikanit.

11/10/2017 12:40